5 gjërat që bëjnë prindërit, të cilat i acarojnë adoleshentët - asistencafamiljare.al

Blog

5 gjërat që bëjnë prindërit, të cilat i acarojnë adoleshentët

A shpërthen në inat, përplas dyert dhe godet muret adoleshenti juaj?

Po, adoleshentët janë persona me ndryshime të çuditshme humori. Por, para se ta etiketoni fëmijën tuaj si “inatçi” bëjini vetes suaj këtë pyetje:

A mund të jem unë shkaku i shpërthimeve të zemërimit të fëmijës tim?

Shumë shpesh në psikoterapi, psikologët raportojnë prindër të dashur e me qëllime të mira të bëjnë komente shkatërrimtare për shpirtin e një adoleshenti. Psikoterapeutët dëshmojnë të shokuar prindër që turpërojnë, fajësojnë ose kritikojnë fëmijët e tyre. Këta prindër u hedhin frustrimin e tyre fëmijëve duke i thënë gjëra që nuk i duhen thënë kurrë një të rrituri tjetër.

Kështu, para se të fajësoni adoleshentin, pyesni veten nëse jeni fajtorë për “krimet” e mëposhtme:

1. Kriticizmi
Askush nuk lulëzon në një ambjent plot kritika. Kritikat e vazhdueshme ndaj fëmijëve tuaj, i bëjnë ata të ndihen dështakë. Fjalët e prindërve janë të fuqishme dhe ndikojnë identitetin në zhvillimin e një adoleshenti. Adoleshentët mund të veprojnë si të ashpër, por në thellësi kanë një sens shumë të brishtë të vetes.

RREGULLI I ARTË: Asnjëherë mos i thuaj fëmijës tënd diçka që nuk do doje të ta thonin ty.

2. Këshilla të pakërkuara
Këshillat e pakërkuara thuajse gjithmonë dështojnë me adoleshentët. Veçanërisht kur këshilla jepet në formë direktive, si për shembull “Nevojitet të bësh këtë…” Adoleshentët shpenzojnë jetën e vet duke u ndjerë të urdhëruar nga të rriturit. Këshillat e pakërkuara nxisin më shumë rebelimin dhe zvogëlojnë besimin.

3. Krahasimi
A i pëlqen ndokujt të krahasohet negativisht me të tjerët? Nëse filloni një fjali me, “Pse nuk je dhe ti si …”, sapo e keni lënduar fëmijën tuaj. Kjo dhimbje është zakonisht rrënja e zemërimit të fëmijës me prindërit. Shumë adoleshentë ndihen se janë në rrezik kur prindët i krahasojnë me shokët ose motrat e vëllezërit e tjerë. Kjo gjithashtu rrezikon raportin e fëmijës me shokët/motrat apo vëllezërit dhe rrit tensionin emocional.

4. Viktimizimi
Askush nuk ka thënë se prindërimi do do të jetë i lehtë. Megjithatë, disa prindër nuk bëjnë tjetër veç ankohen për fëmijët e tyre. Ata ankohen e martirizojnë veten e tyre tek miqtë e të afërmit, në shtëpi dhe në publik. Ky lloj negativiteti dobëson lidershipin e prindit dhe ushqen një ambjent toksik. Është gjithashtu një rol-model i tmerrshëm. Nëse ankoheni për fëmijën tuaj, fëmija juaj do të ankohet për ju.

5. Vetë-madhështia
A ju tingëllon familjare fraza:“Kur isha unë në moshën tënde,..bla, bla, bla.”. Mburrje të tilla ndaj fëmijës dërgojnë mesazhin: “Duhet të jesh si unë”. Kujtohuni, adoleshentët po punojnë për ndarje dhe individualitet, ata nuk duan të jenë si ju; ata duan identitetin e vet unik. Për më shumë “vetë-madhështia” transmeton arrogancë dhe pasiguri—dukeni i mërzitshëm tek çdo fëmijë adoleshent.

Këto tre instrumente të fuqishme prindërimi nuk do ju lënë asnjëherë në baltë:

1. Dëgjoni (Njëherë dëgjoni, pastaj flisni)
Të dëgjuarit është shërues; është baza e psikoterapisë. Adoleshentët që ndjejnë se prindërit e tyre dëgjojnë dhe vlerësojnë opinionin e tyre janë më shumë bashkëpunues dhe më pak sfidues. Provoni këtë sygjerim të thjeshtë – dëgjojeni pa e gjykuar, pa referenca të vetes suaj, pa këshilla dhe vini re reagimet e adoleshentit. Ka shumë të ngjarë që ai ose ajo do ndajë më shumë me ju dhe do ndihet më i/e sigurtë të vijë tek ju për mbështetje.

2. Festoni atë çka janë (Jo atë çka ju doni që ata të jenë)
Fëmijët duan vëmendje. Pavarësisht sa të përmbajtur mund të duken, ata dëshpërimisht dëshirojnë vëmëndjen dhe aprovimin e prindërve të tyre. Gjeni një mënyrë për të theksuar pikat e forta të fëmijës suaj. Dhe nëse ata dështojnë në diçka mos filloni me frazën “Të thashë unë…” Ata ndjehen shumë keq kur dështojnë, kështu nuk i duhet edhe dënimi i prindërve për t’iu shtuar ngarkesës që kanë. Bëni më të mirën e mundshme për të lëvduar përpjekjet e fëmijës, pavarësisht rezultateve. Kjo do të ulë nivelet e tyre të stresit dhe do të rrisë vetë-vlerësimin e tyre.

3. Modeloni sjellje të përgjegjshme (Bëhuni ndryshimi që dëshironi të shihni)
Udhëhiqni me shembull. Fëmijët brendësojnë mënyrën e komunikimit të prindërve dhe veset e zakonet e tyre. Shumë prindër fajësojnë fëmijët e tyre për sjellje të cilat ata vetë i modelojnë. Me fjalë të tjera, nëse ju jeni i paduruar, fëmija juaj ka shumë gjasa të jetë impulsiv. Nëse bëni bullizëm me fëmijën tuaj, ai ka shumë të ngjarë të bëhet bully me të tjerët. Mos fajësoni pasqyrën për reflektimin. Silluni mirë dhe po ashtu do sillen dhe fëmijët tuaj. Janë prindërit e përgjegjshëm ata që rrisin fëmijë të përgjegjshëm.