Alzheimer dhe frika për të qëndruar vetëm: 5 mënyra përballimi për kujdestarët e tyre
Alzheimer dhe frika për të qëndruar vetëm
Shumë kujdestarë përballen me sfidën e një të moshuari me Alzheimer i/e cili ka frikë të qëndrojë vetëm. Kjo frikë mund të stimulojë të moshuarin t’ju ndjekë kudo që shkoni nëpër shtëpi, kështu që jeni gjithmonë nën vëzhgimin e tij/saj. Ai/ajo mund të shqetësohet nëse ju hyni në tualet, dilni jashtë për blerje ose për të derdhur mbeturinat, etj. Mund të jetë shumë e vështirë për ju të dilni nga shtëpia – ai/ajo mund të qajë, zemërohet, t’ju ofendojë ose t’ju pyesë në mënyrë të vazhdueshme ku jeni.
Përse të moshuarit me Alzheimer kanë frikë të qëndrojnë vetëm?
Fenomeni i një të moshuari që nuk ju do larg syve të tij, në terminologjinë shkencore njihet si “efekti hije” ose “hijëzim”. Ekspertët sugjerojnë se hijëzimi i pacientëve me Alzheimer ndodh sepse sëmundja e bën atë t’ju bëjë qendrën e botës së tij. Të sëmurët me Alzheimer nuk e bëjnë këtë me qëllim që të jenë të vështirë apo t’ju shkaktojnë ju probleme.
Të moshuarit ju ndjekin nga afër pasi në këtë mënyrë sigurojnë veten që ju jeni pranë tyre. Ju jeni shpëtuesit e jetës së tyre dhe lidhja me botën jashtë. Ju kujdeseni për to dhe ofroni sigurinë për çdo gjë të çuditshme dhe konfuzuese.
Kur nuk ju shohin apo prekin dot, mund të frikësohen ose të përjetojnë ankth. Edhe pse ju nuk keni bërë asgjë që ata të mendojnë se do ti braktisni, ata mund të bëhen paranojakë me frikën se do ti braktisni e nuk do të ktheheni më kurrë.
Frika nuk shkaktohet nga diçka që e keni bërë ju, as nga ndonjë veprim, as nga ndonjë fjalë. Këtu kemi të bëjmë thjesht me një efekt anësor të demencës. Mëposhtë janë 5 teknika që ju ndihmojnë me reduktimin e frikës që shkakton hijëzimi, në mënyrë që të mund të përballeni me sjelljet e tyre.
5 mënyrat për të reduktuar efektin “hije” janë:
1. Përfshini persona të tjerë të besuar
Një nga mënyrat më të mira për të ndihmuar të moshuarin të ndihet i sigurt, edhe nëse ju nuk jeni aty, është të zgjeroni botën e tyre duke përfshirë aty një ose dy persona të tjerë. Kjo duhet bërë gradualisht, në mënyrë që i moshuari të rrisë besimin dhe të ndiejë siguri nga personat e rinj. Ai gradualisht do fillojë të ndihet rehat me personat e rinj dhe mund të qëndrojë edhe vetëm për vetëm me ta, ndërkohë që ju mund të bëni gjëra të tjera për jetën tuaj.
Këto persona mund të jenë pjesëtarë të tjerë të familjes, miq, ose kujdestarë profesionalë. Filloni duke i ftuar të vijnë në një orar preçiz, në mënyrë sistematike për t’ju ndihmuar ndërkohë që ju kujdeseni për të moshuarin. Pastaj, gradualisht mund ti delegoni disa detyra tuajat me të moshuarin. Me kalimin e kohës të moshuarit ndjehet rehat me personin e ri, edhe nëse ju nuk jeni aty.
2. Përfshijini në aktivitete të përsëritura dhe qetësuese ku ju duhet të largoheni
Ndonjëherë ju duhet të bëni punë shtëpie pa dikë që ju ndjek hap pas hapi e ju qëndron ngjitur në trupin tuaj. Kur kjo ndodh kërkojini t’ju ndihmojë dhe jepini të bëjë diçka të lehtë që i pëlqen dhe i mban të qetë, që ia heq mendjen nga frika për të ndenjur vetëm.
Për shembull, nëse duhet të gatuani darkën, kërkojini të ulet në tavolinën e kuzhinës dhe të sistemojë pirunjtë dhe lugët, të palosë pecetat, të riorganizojë një sirtar, etj. çfarëdolloj aktiviteti i qetë që nuk shkakton konfuzion. Qëllimi nuk është që i moshuari ta bëjë mirë atë detyrë, por është për t’i hequr mendjen dhe për t’i zënë duart me diçka.
3. Shpërqëndrojeni dhe ridrejtojeni
Shpërqëndrimi dhe ridrejtimi është një teknikë e mirë për të provuar në rast se duhet të largoheni nga shtëpia, ose në rast se i moshuari acarohet së tepërmi për arsye se ju jeni larguar.
Së pari, gjeni një mënyrë për t’i dhënë vlerë atyre çka ju thotë dhe asaj çka ndjen. Duhet vlerësuar emocioni i tij edhe nëse thotë diçka të çmendur si “Ti më urren, me zor pret të largohesh nga unë, ti më braktis!”. Ju mund të përgjigjeni qetësisht me diçka si “Oh, e shoh që je shumë i shqetësuar.” Kjo i jep vlerë ndjenjave të tyre dhe shmang beteja të panevojshme. Ai do të bëhet shumë agresiv dhe i irrituar nëse i thoni se e ka gabim.
Së dyti, gjeni një mënyrë për ta shpërqëndruar para se të fillojë të shqetësohet se po e lini vetëm. Tregojini një lule të bukur që sapo ka çelur në oborr ose ballkon, ofrojini një pije ose ushqim të preferuar, kërkojini ndihmë për një detyrë të thjeshtë, ose shëtisni së bashku në një pjesë tjetër të shtëpisë. Përfshijeni në një aktivitet që i pëlqen. Ju dhe kushdo tjetër që ju ndihmon gjatë kohës që jeni larg, duhet ta bëni këtë teknikë vazhdimisht derisa të mësohet dhe në varësi të sasisë së frikës dhe ankthit që përjeton i sëmuri me demenca.
4. Bëni një inçizim të vetes suaj
Një tjetër mënyrë për të qetësuar të moshuarin kur jeni larg, është ta vini të dëgjojë një inçizim ose një video tuajën, të regjistruar posaçërisht për të.
Mund të jetë një video ose MP3 e juaja që i lexoni atij librin e preferuar. Ose mund të bëni një video tuajën duke bërë punët e shtëpisë, ose duke lexuar diçka me zë të lartë. Ndonjëherë, edhe sikur vetëm të dëgjojnë zërin tuaj, të moshuarit me demenca qetësohen dhe ndiejnë siguri gjatë periudhës së ndarjes.
5. Ndihmoje të kuptojë sa gjatë do qëndrosh jashtë
Pjesë e problemit është se të moshuarit me Alzheimer humbasin sensin e tyre të kohës. Një minutë, një ditë apo një vit, mund ti duket njësoj pasi e kanë humbur atë perceptim. Kështu që, kur i thoni që do largoheni vetëm një minutë, ata mund të mos e kuptojnë këtë.
Provoni diçka si kohëmatësi i zierjes së vezëve për ti ndihmuar të perceptojnë kohën. Për shëmbull, nëse shkoni në tualet, vendoseni kohëmatësin për sasinë kohore që ju do të jeni larg – 5 minuta. Jepjani në dorë kohëmatësin dhe tregojini se kur kohëmatësi mbaron, atëherë do ktheheni. Ata janë në gjendje ta ndjekin e të shohin ekzaktësisht kur ju do të ktheheni. Kjo funksionon edhe për detyrat e tjera të shpejta, si nxjerrja jashtë e mbeturinave, blerja e një kutie qumështi në market, etj.