Çfarë shkakton në trurin e fëmijës suaj koha e shpenzuar para ekranit të telefonit, tabletit apo kompjuterit?
Një studim i kohëve të fundit konfirmon atë çka prindërit e kanë frikë – shumë kohë para ekranit lidhet me performancë të dobët në testet zhvillimore në fazat e mëvonshme të jetës. Ky studim u publikuar në Janar 2019 në JAMA Pediatrics.
Foshnja luan me iPad. Studimet e tanishme tregojnë se ekranet me ‘touch” mund të ndërhyjnë në gjumin e foshnjës apo të fëmijës.
Një studim kanadez gjurmoi zhvillimin e hershëm të fëmijërisë së 2,441 fëmijëve dhe zbuloi se nivelet e larta të kalimit të kohës në ekran në moshën 2 dhe 3 mund të ndikojnë zhvillimin në moshën 3 dhe 5. Zhvillimi përfshin rritje në komunikim, aftësi motorike, aftësi problem-zgjidhëse dhe aftësi sociale. Shenja të këtij lloj zhvillimi mund të shihen në sjellje si vendosja e një blloku ndërtues apo lodre njëra mbi tjetrën.
“Ky studim tregon se, kur përdoret në mënyrë të ekzagjeruar, koha para ekranit mund të ketë pasoja për zhvillimin e fëmijës. Prindëritt mund ta konsiderojnë kohën para ekranit njësoj si ushqimet e shpejta: Në doza të vogla është e tolerueshme, por në doza të mëdha ka pasoja”, thotë Sheri Madigan, asistente profesore në Zhvillimin e Fëmijës në Universitetin e Calgary.
Sigurisht, ka paralajmërime përsa i përket këtij studimi kanadez. Për shembull, studiuesit kanë vënë re se “nuk është e qartë nëse shpenzimi i tepërt i kohës para ekranit parashikon performancë më të ulët në testet e zhvillimit, apo nëse fëmijët me performancë të dobët zhvillimore kalojnë më shumë kohë para ekranit, si një mënyrë për të modifikuar sjelljet sfiduese.”
Sa kohë para ekranit është e tepërt? Akademia Amerikane e Pediatrisë rekomandon që prindët të kufizojnë kohën para ekranit për fëmijët parashkollorë 2 deri 5 vjeç në një orë në ditë, dhe këtë me programe shumë cilësore. Shumica e fëmijëve në këtë studim kalonin dy deri tre orë në ditë para ekranit.
Ky nuk është një lajm shumë i mirë për prindët që u japin tabletin ose telefonin fëmijëve gjatë pritjeve në rradhë supermarketesh, vonesash në trafik, gjatë darkave e drekave me miq, duke i përballur fëmijët me një varësi të mirëfilltë.
“Koha para ekraneve krijon varësi,” thotë David Wanderman, pediatër në Stanford Children’s Health. “Çdo gjë që rrit nivelin e dopaminës të bën të ndjehesh mirë, dhe të bën ta kërkosh e ta rikërkosh këtë kënaqësi pafundësisht. Mediat sociale dhe video lojrat nxisin reagimin e të kërkuarit të shpërblimit dhe kënaqësisë.”
Fëmijët e të gjitha moshave në Shtetet e Bashkuara shpenzojnë 5 deri 7 orë në ditë para ekraneve. Këtu përfshihet televizioni, kompjuteri, video lojrat, tableti, telefoni. Ekspertët paralajmërojnë se koha e tepërt para ekraneve shkakton vështirësi me gjumin, rrit rrezikun e problemeve me vëmëndjen, ankthin dhe depresionin, si dhe rrezikun për obezitet.