Empatia - asistencafamiljare.al

Blog

Empatia

Kur pyesim se çfarë është empatia, gjëja e parë që vjen ndërmend është aftësia për të vendosur “këmbët tona në këpucët e dikujt tjetër”. Megjithatë, empatia shkon më larg se kaq, zakonisht nuk është vetëm një veprim intelektual, por diçka thellësisht emocionale.

Ka kuptime të ndryshme rreth empatisë, një prej kuptimeve më të plota thekson se “empatia është përjetimi i të kuptuarit të kondicionit të një personi tjetër, nga këndvështrimi i personit tjetër”. Kjo do të thotë të vendosësh veten në lëkurën e tij dhe të ndjesh atë çfarë po ndjen ai person.

Empatia është një çështje dyshe: Qasja diadike

Nga këndvështrimi antropologjik, kuptimi i empatisë nga pikëpamja individuale do të thotë ta kufizosh atë. Një studim i kryer nga Universiteti i Amsterdamit sugjeron se empatia gjithashtu varet nga “çfarë të tjerët duan ose mund të thonë për veten e tyre.” Në këtë mënyrë, empatia fiton një dimension diadik, që do të thotë se personi që ndjen empati është po aq i rëndësishëm sa personi që e zgjon atë ndjesi. Në fakt, ne nuk jemi njësoj empatikë më të tërë njerëzit.

Empatia gjithashtu rregullohet nga normat kulturore dhe sociale. Në të njëjtin studim, u vlerësua se fëmijët ishin më empatikë kur një mësuese u kujtonte se duhet të ishin shokë të mirë klase, por empatia ulej kur zgjidhnin anë për një lojë të caktuar. Fëmijët që zgjidheshin të fundit dhe ndjenin mërzi merrnin ngushëllime nga shokët, por ata që zgjidheshin të fundit e nuk shprehnin mërzitje etiketoheshin si “humbës”. Kjo do të thotë se konteksti, besimet sociale dhe vetë personi që është objekt i empatisë janë faktorë përcaktues, pavarësisht nga aftësia individuale për të ndjerë empati.

Tre llojet e empatisë

Ekzistojnë klasifikime të ndryshme rreth empatisë. Psikologu Mark Davis sugjeroi se ka tri lloje empatish.

– Empati konjitive – Është një empati e “limituar” meqenëse ne vetëm adoptojmë perspektivën e tjetrit. Kjo empati nënkupton se ne jemi të aftë të kuptojmë dhe të marrim pikëpamjet e tij si dhe të vendosim veten tonë në këpucët e tij. Kjo është një empati që lind nga të kuptuarit intelektual.
– Shqetësim personal – Ka të bëjë me të ndjerin e mirëfilltë të ndjenjave të tjetrit. Kjo empati vjen në sipërfaqe kur shohim dikë që vuan dhe ne vuajmë në krah të tij. Kjo vjen si pasojë e një “sëmundje ngjitëse” emocionale; që do të thotë, personi tjetër na ka “infektuar” me emocionet e tij. Disa njerëz janë aq të predispozuar ta manifestojnë këtë lloj empatie saqë ndjenjat e tjetrit i trullosin ata, duke i shkaktuar shumë stres.
– Shqetësim empatik – Ky model përshtatet më së miri me përkufizimin tonë të empatisë. Është aftësia për të njohur gjendjet emocionale të të tjerëve, të ndjehemi të lidhur emocionalisht, dhe, megjithëse mund të përjetojmë një nivel shqetësimi personal, të jemi në gjendje të manaxhojmë parehatinë dhe të tregojmë merakosje autentike. Ndryshe nga shqetësimi personal, shqetësimi empatik ndihmon dhe rehaton tjetrin, por nuk na paralizon ndjenjat.

Empatia mësohet

Shumë njerëz mendojnë se jemi lindur empatikë, por në të vërtetë empatia është një sjellje që mësohet. Bebet mësojnë të identifikojnë dhe rregullojnë emocionet e tyre nëpërmjet ndërveprimeve me të rriturit, fillimisht me prindërit e tyre. Kur të rriturit përgjigjen ndaj gjendjeve emocionale të fëmijëve, ato jo vetëm krijojnë bazën për diferencim të “vetes”, por gjithashtu për të zhvilluar sensin e tjetrit. Me kalimin e kohës, kjo kthehet në empati.

Është vlerësuar se fëmijët që nuk përjetojnë këto lloj ndërveprimesh kanë një sens të venitur të “vetes”, vuajnë nga vështirësi në manaxhimin dhe rregullimin e emocioneve dhe demostrojnë empati të kufizuar. Kur zhvillohet një stil shmangës atashimi, personi nuk ndjehet rehat në raportet intime dhe përballet me probleme të njohjes së emocioneve të tij dhe emocioneve të të tjerëve. Kur zhvillohet një stil anksioz atashimi, personi shpesh ka paaftësi për të moderuar emocionet e veta, kështu që mund të përfshihet në emocionet e dikujt tjetër. Kjo nuk është empati.
Kësisoj, pavarësisht se është e vërtetë që truri ynë është projektuar për të përjetuar empatinë, është e nevojshme që kjo aftësi të zhvillohet gjatë gjithë jetës, veçanërisht në vitet e para të jetës.

Çdo të thotë të jesh empatik? Kondicionet bazë të empatisë

Që një person të përjetojë empati, është e nevojshme që të ekzistojnë disa kondicione bazë.

1. Imitim neuronal dhe motorik. Empatia dëmtohet në rastin e disa njerëzve që vuajnë nga alterime neurologjike. Në fakt, që të jesh empatik është e nevojshme që neuronet tona pasqyrë të jenë në veprim, që të ndodhë një imitacion trupi dhe mikroshprehjesh fytyre, të gjitha këto na ndihmojnë të vendosim veten tonë në vendin e të tjerëve.

2. Të dish gjendjen e brendshme të personit tjetër, përfshirë mendimet dhe emocionet e tij. Vetëm atëherë mund të jemi të ndërgjegjshëm për çfarë mendon, ndjen dhe identifikon personi tjetër me pikpamjet e tij në gjendjen aktuale apo emocionale. Ky kondicion na lejon të krijojmë një prezantim më pak të qartë të asaj çka personi tjetër po përjeton, ose situatën që po kalon dhe gjendjen e tij afektive.

3. Rezonanca emocionale. Për të përjetuar empati afektive, është e nevojshme që gjendja emocionale e personit tjetër të rezonojë brenda nesh.

4. Projektimi ynë tek tjetri. Për të ndjerë empati, është thelbësore të jemi në gjendje të lëmë pozicionin tonë për momentin për të identifikuar veten me situatën e tjetrit. Nëse nuk jemi në gjendje të lëshojmë koordinatat tona, do ta kemi të vështirë të vendosim veten në pozicionin e tjetrit. Kur kryejmë veprimin e projeksionit, mund të rikthehemi tek vetja dhe rikrijojmë në mendjen tonë si do ndjeheshim nëse na ndodhte ne. Në fakt, empatia nënkupton një vajtje-ardhje shpalosëse dhe të vazhdueshme midis tjetrit dhe “vetes”.

5. Vetë-rregullimi emocional. Qëndrimi në stres nuk është i dobishëm as për ne as për personin tjetër. Është e nevojshme të ecim një hap para dhe të zhvendosemi tek mirësia empatike, që konsiston në të kuptuarin që ndjehemi keq për tjetrin, dhe i kapërcejmë këto ndjenja në mënyrë që ta ndihmojmë atë. Kat ë bëjë me manaxhimin e reagimeve tona emocionale në mënyrë që të ndihmojmë tjetrin.

Empatia është komplekse
Empatia përfshin shumë pjesë të trurit. Nuk ka një vend të caktuar në tru ku ndodh empatia.

Në sajë të neuroshkencës, ne tani e dimë se të imagjinosh si është të jesh dikush tjetër është diçka që përfshin aktivitet të zgjeruar truri. Këtu përfshihen reagime të pavetëdijshme dhe sjellje të mësuara. Nuk ka një vend të caktuar në trurin tonë ku ndodh empatia— fenomeni i empatisë përfshin veprime neurologjike që shpërndahen në të gjithë trurin. Teknika të sofistikuara të imazherisë së trurit identifikojnë një dyzinë pjesësh dhe rajonesh të trurit të cilat përfshihen në shprehjen e plotë të empatisë.

Eksperienca e gamës së plotë të empatisë përfshin ndarjen e ndjenjave fizike dhe emocionale duke ditur njëkohësisht se këto ndjenja i përkasin personit tjetër; të imagjinuarit e përvojës së personit tjetër pa interpretimet dhe gjykimin tonë; pa u tronditur nga përjetimi i këtyre ndjenjave; duke përvetësuar kontekstin e jetës së personit tjetër dhe kulturës e historisë së tij; dhe duke e bërë këtë në fraksion minutash e madje sekondash.

Empatia është një gjendje komplekse, dhe nevojiten shumë aftësi për ta përjetuar në tërësi. Nuk duhet të dekurajohemi nga ky kompleksitet: të qënurit empatik është një proçes që mund të jetë shumë i dobishëm për raportet tona ndërpersonale.

Blloqet e ndërtimit të empatisë

Ne bëhemi empatikë kur zhvillojmë aftësi për të pasqyruar veprimet e tjetrit. Të gjithë mund të bëhëmi empatikë.

Ne, qëniet njerëzore kemi potencialin për të përjetuar fushëveprimin e plotë të empatisë. Mund ta shprehim ndryshe, mund të bëjmë veprime që varen nga empatia, por gjithsesi mund të punojmë për të zhvilluar blloqet ndërtues që çojnë drejt empatisë. Kjo është e rëndësishme, pasi, kur jemi empatikë, kuptojmë më mirë të tjerët, ndjehemi vetë më të kuptuar, dhe jemi më të prirur për të qënë të mirë, të gjindshëm dhe bashkëpunues.
Empatia është një kombinim veprimesh të vetëdijshme dhe të pavetëdijshme të cilat shkencëtarët e neuroshkencës kanë gjurmuar në trurin tonë. Pas shumë vitesh studimesh, është evidentuar një kombinim prej shtatë komponentësh veprimesh në trurin tonë. Pesë prej këtyre komponentëve shprehin empati interpersonale dhe dy të tjerat empatinë sociale.

Empatia interpersonale, aftësia për të ndjerë për dhe me një person tjetër, qëndron në aftësinë tonë të pavetëdijshme për të imituar veprimet e të tjerëve. Kjo quhet pasqyrim. Kur shohim një veprim nga dikush tjetër, kemi të njëjtin aktivitet truri sikur të jemi duke e bërë veprimin vetë. Mund edhe ta përsërisim veprimin në mënyrë të pavetëdijshme. Mendoni ç’ndodh kur dikush hap gojën për gjumë para jush, dhe ju menjëherë e imitoni të njëjtën gjë, ose kur buzëqeshni pasi dikush ju buzëqesh, dhe as vetë nuk e kupton pse ndodh kjo! Këto janë përvoja pasqyruese. Kur ne fizikisht imitojmë të tjerët, edhe pavetëdije, mund të fillojmë të vendosemi në pozicionin e tyre dhe të ndjejmë ndjenjat e tyre. Kjo lidhje e pavetëdijshme mund të ngacmojë komponentët e tjerë të empatisë.

Ne bëjmë hapa konjitive për të proçesuar çfarë personi tjetër ndjen, përjeton dhe madje edhe çdo të thotë ky person. Ne fillojmë të imagjinojmë sim und të jetë të jesh personi tjetër. Ne jemi të vetëdijshëm që jemi duke ndarë ndjenjat e tyre, por jemi gjithashtu të vetëdijshëm që kjo nuk është përvoja jonë. Pra, ne kujdesemi që të mos tronditemi kur fokusohemi tek tjetri. Kur jemi plotësisht empatikë, ne nuk imagjinojmë çffarë do të bënim në këpucët e tjetrit, por punojmë që të kuptojmë çfarë do bënte personi tjetër. Për të na ndihmuar të jemi më depërtues pa paragjykuar, duhet të jemi shoqërisht empatikë.

Empatia sociale na bën të përvetësojmë kontekstin e jetës së personit tjetër. Ku mund të bazohen gjatë historisë së jetës së personit, këto përvoja të jetuara? Si kanë ndikuar në jetën e personit tjetër, historitë e grupit apo komunitetit që ai i përket, qofshin këto rracore, etnike, gjinore apo fetare? Si do të ishtë të viheshe në pozicionin e të tërë grupeve të njerëzve që jetojnë sot nën ndikimin e historisë? Askush nga ne nuk lind pa një histori paraprake identiteti. Një pjesë e historisë është personale, si ndikimi i pridërve dhe gjyshërve. Një pjesë tjetër bazohet tek grupi ku përkasim, si rraca, feja apo etniciteti. Këto janë ndikime të absorbuara nga ne në mënyrë të pavetëdijshme. Por, që të jemi plotësisht empatikë, nevojitet të konsiderojmë që këto ndikime janë aty, dhe ndikojnë në mënyrën se si ne dhe të tjerët veprojmë.

Empatia kërkon përpjekje
Nëse mendoni që është një detyrë e vështirë të jesh empatik, keni plotësisht të drejtë. Nëse nuk e keni vendosur ndonjëherë veten në pozitën e të tjerëve që janë ndryshe nga ty, është akoma më sfiduese të fillosh ta bësh. Duhet përpjekje e vetëdijshme për të identifikuar ndjenjat e të tjerëve dhe të reflektosh se çfarë nënkuptojnë këto ndjenja. Por, empatia sa vjen e bëhet më e lehtë me praktikë. Mund të jeni gabuar rreth të tjerëve. Mund t’ju duhet të kontrolloni gjykimin tuaj për të tjerët, e të rishikoni nëse i lexoni mirë të tjerët. Kjo quhet “saktësia empatike”. Nëse hyjmë në një dhomë ku të tjerët po qajnë, mund të supozojmë se ka ndodhur diçka shumë e trishtueshme. Por, këto mund të jenë lot gëzimi, dhe ndoshta diçka shumë e gëzueshme ka ndodhur. Prandaj është kaq e rëndësishme të kuptohet konteksti.

Konkluzion
I gjithë qëllimi i empatisë, interpersonale apo sociale, është shumë më shumë se ndarja e emocioneve të të tjerëve. Të jesh empatik do të thotë: të marrësh kohë dhe të bësh përpjekje për të hyrë në jetën e tjetrit dhe të kuptosh çfarë po ndodh vërtet. Do të thotë, të keni përulësinë për të ditur se mund të keni gabuar më gjykim, dhe kështu duhet të mësoni rreth kontekstit dhe mënyrës si historia ka kontribuar në atë çka personi tjetër po përjeton tani. Duket të kontrolloni nëse interpretimi juaj është i saktë.

Kini kujdes-Empatia përfshin disa pjesë të trurit tuaj, është komplekse. Por, mos u dekurajoni. Edhe kur nuk operojnë plotësisht të shtatë komponentët e empatisë, ne jemi gjithsesi në gjendje të përjetojmë empati. Është një proçes dhe kërkon disa hapa deri në kuptimin e plotë të tjetrit.

Një fëmijë të cilin e mësojnë të kujdeset për ndjenjat e të tjerëve, edhe pse është i vogël dhe nuk e kupton plotësisht ç’duan të thonë ato ndjenja, është duke ndërtuar themelet për aftësi më të thella empatike.