Mami, jam në klasë të parë! - asistencafamiljare.al

Blog

Mami, jam në klasë të parë!

Shkruar nga MSc. Boralda Lala

Fillimi i shkollës është një ndër tranzicionet më të rëndësishme për fëmijën. Pasi kampioni juaj i vogël apo kampionia juaj e vogël kanë arritur gurët kilometrikë të zhvillimit, shkolla u shfaqet si një sfidë e madhe (madje më e vështirë se puzzle ose lego me pjesë të imta). Për disa fëmijë të familjarizuar me çerdhen dhe kopshtin, mund të duket më i lehtë fillimi i shkollës, por gjithësesi klasa e parë mbart ankth.

Fatkeqësisht, ne jemi të mësuar ta shohim shkollën si institucion që përcjell autoritet, më tepër se një ambient në të cilin zhvillohen edhe më tej potencialet e fëmijës.

Muaji shtator duket se vë në lëvizje gjithë familjen, procesi i regjistrimit, blerja e librave, veshje të reja (të cilat janë kthyer në një standart të pakuptueshëm!), çanta e re, mjetet mësimore dhe lista duket se s’ka fund. Nënat janë ato të cilat e përjetojnë me më shumë stres fillimin e shkollës.

Ankthi që ato vetë përjetojnë tejçohet tek fëmijët në mënyrë të pavetëdijshme. E kështu duke dashur të lehtësojnë fëmijën e tyre, mund të ndodhë ta ngarkojnë edhe më tepër, pa dashur, sigurisht. Ankthi i ndarjes është aty, pas derës! Çfarë mund të bëjë një mami ose babi i shqetësuar? Sigurisht që nuk ka asnjë teknikë specifike, por natyrshëm vijnë këto këshilla:

  • Si fillim qetësoni veten! Ndihuni krenarë që vogëlushi apo vogëlushja juaj është gati për këtë hap kaq të rëndësishëm. Keni besim tek fëmija juaj!
  • Flisni sa më shumë me fëmijën tuaj, flisni mbi pasiguritë, frikërat, shqetësimet që mund të ketë. Shpjegojini që është normale të ndihet i pasigurtë. Fëmija juaj ka nevojë për kohën e tij për tu përshtatur. Mos e ngutni, jepini kohë!
  • Kuptoni atë çfarë nuk ju thonë. Mund të ndodhë që fëmija mund të duket shumë i qetë, por rutina e tij e gjumit mund të ndryshojë, oreksi po ashtu. Vini re nëse ankohet për dhimbje të tipit: dhimbje dhëmbi, barku, koke etj. Ankthi jep simptoma të tilla somatike.
  • Bëjeni fëmijën pjesë të procesit të blerjes për përgatitjen në shkollë. Lejoheni të zgjedhë vetë çantën e tij, fletoret, lapsat etj.
  • Vizitoni paraprakisht ambientet e shkollës, nëse është e mundur prezantoheni me mësuesen e tij të parë. Mësuesja e tij do jetë një hallkë e rëndësishme në procesin e të mësuarit. Prindi-fëmija-mësuesi janë një trekëndësh bashkëpunimi. Mësuesi është partneri juaj, konsideroheni të tillë.
  • “Luani shkollash”! Fëmijët e duan lojën më shumë se çdo gjë tjetër dhe prej saj mësojnë. Luani sikur jeni në shkollë apo klasë dhe bëni pjesë të lojës disa nga aktivitetet të cilat fëmija do ti realizojë në shkollë.
  • Është shumë e rëndësishme ta informoni fëmijën se në klasën e tij, mund të këtë nxënës me nevoja të veçanta. Nxitini fëmijët tuaj të miqësohen me këta fëmijë, ata mund të jenë shumë të talentuar në fusha të caktuara. Të gjithë jemi unikë në llojin tonë, të gjithë jemi të barabartë.
  • Mos ushtroni presion mbi fëmijën në asnjë situate. Këshillohuni me dikë dhe kërkoni ndihmë nëse e ndjeni se keni nevojë.

Ju si prindër, jeni mbështetja më e madhe për të cilën fëmija juaj ka nevojë. Prandaj, kur fëmija ju thotë “Mami jam në klasë të parë”, kuptoni që po ju thotë: “Mami, kam frikë, kam shumë nevojë për ty, por unë mundem”. Dhe ju, mundeni më të vërtetë, guxoni!