Ndryshimi midis Disiplinës dhe Ndëshkimit (4 Strategji efektive disiplinimi) - asistencafamiljare.al

Blog

Ndryshimi midis Disiplinës dhe Ndëshkimit (4 Strategji efektive disiplinimi)

Disiplinimi i fëmijëve është një nga pjesët më pak argëtuese të prindërimit-mund të jetë një proçes frustrues, dekurajues dhe rraskapitës.

A e keni pyetur veten tuaj: “Si mund t’i disiplinojmë fëmijët pa përdorur ndëshkimin?”

Përdorimi i ndëshkimit, nuk është e vetmja mënyrë dhe nuk është mënyra më e mirë për disiplinim të suksesshëm të fëmijëve.

Në këtë artikull do të shohim pse masat ndërshkuese disiplinore nuk janë zgjedhje e mirë.

Gjithashtu do përmendim 4 mënyra efektive për disiplinimin e fëmijëve, mënyra të cilat:

• Modifikojnë sjelljen e fëmijëve,
• Zhvillojnë karakterin e tyre,
• Mbrojnë shëndetin e tyre mendor, dhe
• Ju ndihmojnë të zhvilloni raport të ngushtë me ta.

Pjesa më e bukur e kësaj?

Nuk ka më britma, ankesa, kërcënime apo dënime.

Cili është ndryshimi midis disiplinës dhe ndëshkimit?

Shumë njerëz përdorin një gërshetim të ndëshkimit dhe disiplinës me fëmijët e tyre.

Por ndëshkimi dhe disiplina nuk janë sinonime e nuk janë e njëjta gjë.

Disiplina është praktika e të mësuarit të dikujt që të sillet në përputhje me rregullat apo kodet e sjelljes.

Fjala disiplinë vjen nga Latinishtja – disciplina (të mësosh dikë, udhëzosh dhe instruktosh atë), dhe discipulus (nxënës).

Të disiplinosh do të thotë të mësosh. Të mësosh do të thotë të tregosh dhe shpjegosh si të bësh diçka. Fokusohet tek të mësuarit e sjelljes së dëshiruar në të ardhmen.

Të ndëshkosh do të thotë të shkaktosh vuajtje për një sjellje të së kaluarës.

Por ndryshimi midis disiplinës dhe ndëshkimit shkon më thellë se fjalët. Ka gjithashtu një ndryshim midis reagimit të trurit ndaj secilës prej teknikave.

Ndëshkimi nuk është negativ vetëm në këndvështrimin filozofik. Është gjithashtu i dëmshëm për trurin.

Shkenca e Disiplinës përkundrejt Ndëshkimit

Keni dëgjuar ndonjëherë për eksperimentin e famshëm rreth kushtëzimit, të kryer nga psikologu rus, Ivan Pavlov.

Qentë prodhonin më shumë pështymë kur ushqeheshin. Kështu, Pavlov sa herë i jepte ushqim qenve të tij, ai gjithashtu i binte një zileje. Pasi e përsëriti këtë proçedurë për një farë kohe, ai filloi ti binte ziles edhe pa ofruar ushqim. Vetë tringëllima e ziles shkaktonte prodhim të pështymës tek qentë. Eksperimenti tregon se qentë mësuan ta shoqërojnë zilen me ushqimin, e kësisoj u mësua kjo sjellje e re, e cila u quajt Kushtëzim Klasik. Zilja ishte fillimisht një stimul neutral, por më pas u shndërrua në një stimul të kushtëzuar. Prodhimi i pështymës ishte një reagim i kondicionuar.

Bazuar në këtë rezultat, konkludohet natyrshëm se nëse një pasojë negative shoqërohet me një sjellje të padëshiruar, një qen, madje dhe një fëmijë, do të mësojë të adoptojë një sjellje të dëshiruar për shkak të frikës nga pasoja negative.

Por a mund të aplikohet kjo teori tek fëmijët njerëzorë? E gjithë kjo ka të bëjë me trurin njerëzor.

Truri i Njeriut

Neurologët besojnë se truri i njeriut përbëhet nga tre zona.

Këto zona janë:

Truri Zvarranik – kontrollon funksionet trupore si frymëmarrja, rrahja e zemrës, tretja e ushqimit, reagimin “lufto ose ik ose ngri në vend”, si dhe të tjera funksione mbijetese të cilat ndodhin pa përfshirë koshiencën tonë.
Truri Gjitar – gjithashtu njihet si truri emocional, i cili është përgjegjës për emocione të forta si frika, zemërimi, ankthi i ndarjes, të kujdesurit për të tjerët, etj.
Truri Njerëzor – gjithashtu quhet truri i të menduarit. Këtu ndodh arsyetimi, zgjidhja e problemeve, të mësuarit, vendim-marrja dhe mendimi analitik.

Dhe ndryshimi midis disiplinës dhe ndëshkimit është se:

Disiplina përfshin Trurin Njerëzor, ndërsa Ndëshkimi përfshin Trurin Emocional.

Frika dhe Truri

Si reagon truri njerëzor ndaj frikës?

Le të themi se jeni duke bërë ecje në natyrë dhe papritmas, një kafshë e madhe të del përpara. Si do të vepronit në këtë rast?

Nëse jeni si shumica e njerëzve, në mënyrë instiktive do të bënit një hap prapa pa u menduar.

Pastaj, nga afër vini re se kjo kafshë është thjesht një qen lozonjar dhe i shoqërueshëm. Kështu që ju relaksoheni pasi e keni bërë këtë gjykim të vetëdijshëm.

Ja çfarë ndodh në trurin tuaj:

Rreziku nxit një alarm (dhe frikë) në trurin tonë emocional, informacion i cili nuk kalon njëherë përmes trurit tonë mendues.

Kur jemi në rrezik, nuk na premton koha të mendojmë!

Hormoni i stresit, kortizol, çlirohet në organizëm në mënyrë që të pajisë trupin me energji për të luftuar ose për të ikur prej rrezikut në mënyrë shumë të shpejtë.

Ky quhet mekanizmi lufto-ik-ose ngri në vend.

Të gjitha këto ndodhin automatikisht pa menduar se ç’do bëhet më vonë. Ky është një mekanizëm shumë i vlefshëm për mbijetesën njerëzore.

Ndëshkimi dhe Truri

Ndëshkimi është një disiplinë ndrydhëse e bazuar tek frika.

Frika frekuente nuk i bën mirë trurit.

Fëmijët e vegjël, veçanërisht fëmijët që sapo kanë filluar të ecin dhe fëmijët parashkollorë janë shumë kuriozë.

Ata janë ambiciozë dhe të patrembur, por nuk dinë shumë rreth sigurisë.

Ata nuk e kuptojnë pse pretendohet që ata të sillen në mënyra të caktuara, dhe ata nuk ndjekin dhe aq mirë të arsyetuarit. Shumë prindër përdorin frikën ose masa si ndëshkimi fizik, qortimi ose dënimi duke e detyruar të shpenzojë kohë vetëm. Fëmijët bëjnë shumë gabime, kësisoj, në disa shtëpi fëmijët kërcënohen shumë nga frika e dënimit.

Nuk është vetëm dënimi që shkakton frikë. Kërcënimi për ndëshkim mundet gjithashtu të shkaktojë frikë tek fëmijët.

Këta prindër shpresojnë se frika do ti kondicionojë fëmijët të braktisin sjelljen e padëshiruar për të adoptuar sjelljen e dëshiruar, pak a shumë njësoj si qentë që u kondicionuan për të adoptuar sjelljen e re.

Por e vërteta është se:

Frika e vazhdueshme mund të dëmtojë trurin e një fëmije, në shumë mënyra të papritura.

1. Çrregullime mendore

Kur nxitet mekanizmi “lufto-ik-ose ngri në vend”, hyn në funksion truri emocional dhe pushon së funksionuari truri mendues.

Nëse ngjarja është jetë-kërcënuese ose shkakton frikë intensive, krijohet një kujtim special i cili ruhet veçmas kujtimeve normale. Ky lloj kujtimi gdhëndet në trurin tonë dhe na bën të ndjehemi keq, në mënyrë që të sigurohemi për ta shmangur rrezikun në të ardhmen.

Frika, vërtet na kushtëzon ta ndryshojmë sjelljen.

Por, ka një problem.

Ky lloj kujtimi i kushtëzuar nga frika është ai çka nënvizon çrregullimet mendore si depresioni, ankthi, dhe çrregullimi i stresit post-traumatik gjatë jetës.

Për arsye se krijimi i këtij kujtimi special (dhe rikujtimi i tij) nuk ka nevojë për “lejen” e trurit tonë mendues, është e vështirë të shmangen efektet e dëmshme mendore që ai shkakton.

Për prindër, të qënit të dënuar ashpërsisht mund të mos duket si një situatë jetë-kërcënuese e që shkakton frikë intensive.

Nëse ne na godasin ose bërtasin, ne mund të rikuperohemi shumë shpejt. Ne shfryhemi duke folur me miqtë, shpërqëndrohemi me aktivitete të tjera ose nuk kontaktojmë më me personin që na shkaktoi negativitetin.

Bota jonë është plot me opsione.

Por, për fëmijët, veçanërisht të vegjëlit fare, prindët janë e gjithë bota. Prindët janë pajisësit kryesorë të ushqimit, sigurisë dhe nevojave të tjera.

Fëmijët nuk kanë zgjedhje kur bëhet fjalë për kujdestarët e tyre. Kanë të bëjnë me mbijetesë. Për ta është çështje jetë-apo-vdekje.

Gjithashtu, nga këndvështrimi i fëmijëve, të rriturit janë fizikisht shumë të mëdhenj, thuajse gjigandë. Për fëmijët, trajtimi i ashpër nga kujdestarët, mundet, dhe shpesh ndjehet si një përvojë jetë-kërcënuese.

2. Rritja e nivelit të hormonit të stresit

Kur frika është shpesh prezente, niveli kronik i rritjes së hormonit të stresit, në plan afatgjatë do të shkaktojë probleme serioze shëndeti për fëmijën — tkurrje e trurit që shpie në vështirësi me të mësuarin dhe kujtesën, ulje të sistemit imunitar, hipertension, depresion dhe çrregullime ankthi janë disa nga problemet që mund të hasin gjatë jetës.

3. Çrregullimi emocional

Frika nuk është i vetmi emocion që na shkëput nga truri ynë mendues. Edhe lloje të tjera stresesh si inati apo zemërimi mund të na shkëpusin nga truri ynë mendues gjithashtu.

Për arsye se një fëmijë që dënohet sistematikisht (ose që kërcënohet për tu dënuar) është në gjendje alarmi vazhdimisht, mekanizmi “lufto-ik-ose ngri në vend” i fëmijës mund të hyjë në funksion edhe kur fëmija përballet me stres jo shumë intensiv.

Kur kjo ndodh, truri emocional mund të hyjë automatikisht në funksion pa pjesëmarrjen e trurit mendues. Fëmija mund të reagojë emocionalisht duke shpërthyer në inat në mënyrë të pakontrollueshme dhe duke u mosbindur.

Kjo ndodh sepse ata nuk mund të kenë akses në trurin mendues, dhe nuk mund ti rregullojnë efektivisht emocionet e tyre.

Studimet vazhdimisht tregojnë se- nëse stili i prindërimit është i ashpër, dhe nëse forma kryesore e disiplinimit është dënimi, fëmijët e këtyre shtëpive shfaqin rregullim të dobët emocional dhe sjellje impulsive dhe agresive.

Rregullimi Emocional

Rregullimi i emocioneve dhe vetë-kontrolli janë aftësitë kryesore që duhet të mësojnë fëmijët e vegjël. Është shumë i rëndësishëm ndikimi i prindërve në aftësinë e fëmijës për të fituar këto aftësi. Fëmija gjithashtu mëson të modelojë emocionet duke vëzhguar reagimet e prindërve të tij. Nëse prindët janë të ashpër sa herë që fëmija bën një gabim, edhe ky fëmijë mëson të jetë i ashpër kur të tjerët gabojnë.

A e dini se emocionet janë gjithashtu “ngjitëse”?

Një ambjent ku mbizotëron dënimi mund të nxisë emocione të vazhdueshme negative tek fëmijët, gjë që e bën akoma më të vështirë të mësuarin e vetë-kontrollit.

4. Ndikim dydrejtimësh

Ndonjëherë, ndëshkimi mund të krijojë një profeci vetë-përmbushëse.

Nëse keqsjellja e një fëmije shpie në një reagim negativ të prindit, reagimi ndërshkues i prindit gjithashtu shpie ose amplifikon sjelljen e jashtme të fëmijës.

Ndikimet janë dydrejtimëshe

Sjellja e fëmijës dhe reagimi i prindit mund të ushqehen nga njëri-tjetri dhe të çojnë në ndëshkime sa vjen e më dënuese.

Eventualisht, ndërshkueshmëria e dënimit mund të degradojë në nivele abuzimi.

5. Eksternalizimi i sjelljes

Studime të shumta kanë zbuluar se ndëshkimet e ashpra dhe dënuese, veçanërisht ndëshkimet e formës fizike, në të ardhmen çojnë në agresivitet, edhe pse momentalisht mund të duken si sjellje negative të momentit.

6. Bëhen bully dhe/ose viktima

Fëmijët e ndërshkuar rëndë mund të kthehen në bully ose në viktima të bullizmit.

Disa fëmijë gjithashtu shfaqin probleme përçarëse të sjelljes kur rriten.

Kur prindët përpiqen të ndryshojnë sjelljen e fëmijës nëpërmjet frikës, ata modelojnë përdorimin e pozicioneve superiore ose forcës për të trëmbur të tjerët. Ata gjithashtu normalizojnë sjelljen abuzive.

Kur këta fëmijë shkojnë në shkollë, disa mësojnë të bëjnë të njëjtën gjë ndaj fëmijëve të tjerë të cilët janë më të dobët se ta.

Disa fëmijë të tjerë kthehen në viktima të bullizmit pasi veprimet e prindërve të tyre u kanë treguar se kjo lloj sjelljeje është e pranueshme.

Ndonjëherë, sjellja e prindërve të tyre ka shkaktuar që fëmijët të ndjehen të pafuqishëm për të shpëtuar nga situatat apo për ti ndryshuar ato. Po këta fëmijë kondicionohen të ndjehen të pafuqishëm për të shpëtuar nga marrëdhëniet abuzive në moshën e rritur.

7. Performancë të dobët akademike

Studimi më i gjatë i shtrirë në kohë me një grup të madh pjesëmarrësish në botë filloi në vitin 1968 dhe u krye nga Universiteti i Miçiganit për të zbuluar marrëdhëniet midis disiplinës ndëshkuese dhe performancës akademike të fëmijëve.

Studjuesit zbuluan se shtëpitë që përdorin disiplinën ndëshkuese, si për shëmbull dënimin, fjalimet e ashpra ose aktivitetet kufizuese, shoqërohen me arritje më të dobëta akademike krahasuar me shtëpitë që përdorin arsyetimin për të mësuar dhe që kanë marrëdhënie të ngrohta prind-fëmijë.

Zinxhiri i evenimenteve psikologjike që shpie në zhvillimin e fëmijës së disiplinuar është një proçes kompleks.

Kushtëzimi klasik që funksionon mirë për qentë, nuk funksionon edhe aq mirë për njerëzit.

Fatkeqësisht, ndëshkimi dënues është i përhapur kudo sepse prindët përfitojnë ndryshimin e menjëhershëm të sjelljes së fëmijët dhe marrin atë që duan. Kësisoj, ata gabimisht mendojnë se ndëshkimi “funksionon” por shumë shpejt e kuptojnë se nuk është aq i dobishëm në plan afat-gjatë.

Përdorimi i ndëshkimit të ashpër për të kondicionuar fëmijët nga frika, në rastin më të mirë është jo-efektiv, dhe në rastin më të keq është i dëmshëm.

Edhe kur duket sikur funksionon, fëmijës në të ardhmen i duhet të paguajë një çmim të shtrenjtë prej kësaj sjelljeje të prindve.

Strategji Efektive të Disiplinës

Ju mund të mendoni:

“Nëse nuk i dënojmë, si mund ti disiplinojmë ndryshe fëmijët në mënyrë që ata të sillen mirë?”

Për shumë prindër, dënimi është e vetmja mënyrë disiplinuese që ata dinë.

Por të disiplinosh do të thotë të mësosh. Dhe për të mësuar dikë nuk nevojitet ndëshkimi.

Mëposhtë mund të gjeni katër masa efektive disiplinore që ju ndihmojnë të adoptoni prindërim pa ndëshkim.

#1 Bëhuni rol-model

Keni vënë re se kur bëni një lëvizje të caktuar, macja apo qeni juaj nuk ju imitojnë, por fëmija juaj ju imiton?

Aftësia për të mësuar duke vëzhguar dhe imituar të tjerët është një veti unike e species njerëzore.

Shkencëtarët kanë zbuluar një qark specifik neuronesh në tru, i cili quhet sistemi i neuroneve pasqyrë, dhe ky qark neuronesh është përgjegjës për këtë aftësi njerëzore.

Ky sistem jo vetëm na lejon të imitojmë veprimet e të tjerëve por gjithashtu të kuptojmë qëllimet e veprimeve të tyre.

Ky zbulim mund të shpjegojë pjesërisht pse është kaq e rëndësishme që prindët të modelojnë mënyrën në të cilën duan që të sillen fëmijët e tyre.

Kështu:
• Nëse doni që fëmija juaj të jetë i respektueshëm, ju duhet ta respektoni fëmijën tuaj.
• Nëse doni që fëmija juaj të jetë i sjellshëm, ju duhet të jeni të sjellshëm me fëmijën tuaj.
• Nëse nuk doni që fëmija juaj të godasë, mos e godisni atë.
• Nëse nuk doni që fëmija juaj të jetë mizor me të tjerët, mos jini ju vetë mizor me të.
• etj.

#2 Përdorni disiplinën pozitive dhe Përforcimin pozitiv

Le të mendojmë pak dhe të jemi të sinqertë me veten tonë:

Kur ishim fëmijë dhe na dënonin, gjatë dënimit, a mendonim rreth çfarë gabimi kishim bërë dhe çfarë kishim mësuar nga gabimi? Apo mendonim sa i keq u tregua prindi ynë me ne, sa mirë do ishte sikur të mos na kishtë zënë në faj, dhe sa i padrejtë ishte ndëshkimi që na u dha si dhe si vlonte zemërimi ynë ndërkohë që vuanim dënimin?

Kur prindërit fokusohen tek përdorimi i ndëshkimit për të disiplinuar, fëmija zakonisht nuk mëson mësimin e duhur. Fëmija mëson të jetë hakmarrës, mosbesues dhe ndëshkues.

Gjithashtu, studimet tregojnë se dënimi shpesh nuk është i nevojshëm dhe nuk është efektiv në disiplinimin e fëmijëve.

Mungesa e ndëshkimit nuk do të thotë mungesa e disiplinimit.

Studjuesit kanë zbuluar se disiplina jo-shtrënguese, inkurajimi kontingjent, monitorimi dhe problem-zgjidhja janë shumë më efektive në disiplinimin e fëmijëve.

Disiplina pozitive është shëmbull i strategjisë disiplinuese jo-ndëshkuese.

Disiplina pozitive bazohet në respekt të dyanshëm dhe udhëzime pozitive. Ajo ushqen të mësuarin në vend të fokusimit tek dënimi.

Për ti ndihmuar fëmijët të ndalojnë sjelljen e padëshiruar, hapi i parë është të kuptojmë arsyet e sjelljes dhe të adresojmë origjinën e shkakut të sjelljes së padëshiruar.

Prindërit gjithashtu duhet të ndihmojnë fëmijët të kuptojnë pasojat natyrale të veprimeve të tyre.

Përdorni fjalë inkurajuese si përforcim pozitiv për të motivuar fëmijët në mënyrë konstruktive.

Për shembull:

Vajza juaj zvarrit me dembelizëm gjithë rutinën e saj mëngjezore, dhe çdo mëngjes përsëritet e njëjta histori. Gjatë larjes së dhëmbëve loz me furçën dhe ende nuk ka mbaruar edhe pse ka kaluar gjysëm ore.

Identifikoni origjinën e shkakut – Qëndroni me të dhe përpiquni të kuptoni pse e bën këtë veprim. Pasi ti keni bërë pyetje të shumta, mund të zbuloni se ajo ka shumë dëshirë të luajë, por ju nuk i jepni kohë të mjaftueshme për të lozur. Që nga momenti që ajo zgjohet ju e ngusni në çdo hap…

• Zgjohu!
• Ngutu, shpejt në banjë!
• Ha mëngjesin, shpejt!
• Shpejt të veshim rrobat!
• Laji dhëmbët, shpejt!
• Akoma nuk ke mbaruar? Duhet të dalim nga shtëpia … etj.

Ajo mund të ndjehet se mund të lozë vetëm gjatë kohës që lan dhëmbët. Pra problemi mund të jetë që fëmija nuk ka kohë të luajë gjatë rutinës së mëngjesit.

Adresoni burimin e problemit – Pasi të keni reflektuar mund të vendosni që ta zgjoni 15 minuta më herët çdo ditë. Kështu, 15 minutat e para pas zgjimit, ajo ka mundësi të luajë pa u ngutur nga askush. Pastaj do ta ketë më të lehtë të fokusohet tek bërja gati për të dalë e për të shkuar në kopësht ose shkollë.

Shpjegoni pasojat natyrale – Shpjegojini që nuk mund të dilni me vonesë. Kështu, kur është koha për të dalë nga shtëpia, ju do të dilni padiskutim, edhe pse ajo mund të mos jetë veshur akoma dhe është me pizhama, nuk ka larë dhëmbët, nuk ka krehur flokët, etj. Ju do të DILNI nga shtëpia. Kjo është pasoja natyrale.

Përdorni fjalë inkurajuese – Kur ajo të jetë në gjendje të bëjë vetë gati gjithçka në kohën e duhur, ju mund ta lavdëroni për efiçencën e saj dhe faktin që nuk u bë vonë.

Duke ndjekur këto hapa, ju mund të jeni në gjendje të shmangni konfliktin dhe të zgjidhni çështjen e zvarritjes së proçeseve rutinore të mëngjesit.

Nuk nevojitet dënimi. Thjesht pasoja natyrale.

Po “Time Out?”.

Çfarë është “Time Out?”

“Time out”, gjithashtu njihet si “koha e qëndrimit tek qoshi”, është një strategji psikologjike sjelljeje e zhvilluar nga Arthur Staats nëpërmjet eksperimenteve të cilat ai i kreu tek vetë fëmijët e tij.

Idea është të zhvendoset fëmija nga aktiviteti përforcues për një periudhë të shkurtër kohore, shkëputje e cila mund të dekurajojë sjelljet e papërshtatshme.

Kjo formë disipline preferohet veçanërisht në vendet perëndimore, në vend të shuplakave, qortimeve apo hakërrimeve. Shumë pediatër dhe advokatë të disiplinës pozitive e konsiderojnë “time out” si një alternativë të ndëshkimit, pasi nuk shihet si masë ndëshkimore.

Megjithëse ka shumë studime që vërtetojnë dobitë e përdorimit të “time-out” si teknikë disiplinore, shumica e prindëve nuk e përdorin teknikën njësoj siç është përdorur në studimet e kryera.

Shumë prindër thjesht marrin idenë bazë të “time-out” dhe e kthejnë atë në një ndëshkim alternativ, jo një alternative ndaj ndëshkimit.

Mëposhtë janë disa shembuj kur “time-out” nuk përdoret ashtu siç duhet:

• “Time-out” që zgjat për një ose dy orë.
• “Time-out” që detyron fëmijën të rrijë pa lëvizur fare.
• “Time-out” që detyron fëmijën të rrijë në cep të dhomës me fytyrë nga muri.
• “Time-out” që i kërkon fëmijës të qëndrojë përballë fëmijëve të tjerë e të ndjehet i poshtëruar.
• “Time-out” që kryhen në vendë të errëta ose të mbyllura.
• “Time-out” që shoqërohet me qortime dhe hakërrime para ose pas zbatimit.
• etj.

Këto trajtime janë po aq të dëmshme për fëmijët sa dënimi dhe ndëshkimi.

Në një studim të 2003 në UCLA, studjuesit zbuluan nëpërmjet imazherisë së trurit se efekti i refuzimit ngjan njësoj si efekti i dhimbjes fizike.

Kështu që kur “time-out” përdoret si dënim nëpërmjet izolimit, poshtërimit ose frikës, atëherë mund të jetë po aq dëmtues për shëndetin mendor dhe trurin e fëmijës.

#3 Jini të qëndrueshëmdhe këmbëngulës

Të qënurit i qëndrueshëm dhe këmbëngulës është një nga gjërat më të rëndësishme përsa i përket disiplinës pa ndëshkim.

Në studimet rreth stileve të prindërimit, studjuesit kanë zbuluar se stili autoritativ i prindërimit është stili më i mirë i prindërimit në çdo dimension.

Një veti e mrekullueshme e këtij stil prindërimi është se paçka se prindët autoritativë nuk kanë aq shumë rregulla strikte sa ç’kanë homologët autoritarë, prindët autoritativë janë tepër konsistentë në zbatimin e rregullave.

Të qënurit të qëndrueshëm është më ë lehtë të thuhet sesa të bëhet! Shumë më e lehtë!

Në mëngjes, shpesh jemi të gatshëm të ndërrojmë rrobat për fëmijët tanë, ti lajmë dhëmbët e ti krehim flokët. Sigurisht, ne i bëjmë më mirë dhe më shpejt. Kësisoj nuk na duhet as të dëgjojmë kujisjet, ulërimat, të qarat e fëmijës, e nuk do na duhet ti lutemi se duhet të dalim shpejt nga shtëpia.

Por, nëse ne bëjmë gjithçka për ta, fëmijët nuk do të kenë mundësinë të mësojnë të bëhen gati vetë me efiçencë. Ato as nuk do të përjetojnë pasojat natyrale të veprimeve të tyre, të cilat janë të nevojshme për fëmijët, që ata të kuptojnë se veprimet (ose mosveprimet) e tyre kanë pasoja reale në jetë.

Atëherë, çdo mëngjes, bëjeni zemrën gur dhe lejojeni ta bëjë të gjithë rutinën e mëngjesit vetë fëmija juaj. Fëmija duhet të mësojë. Dhe do ta mësojë.

Nuk është e lehtë. Por ia vlen.

Jini të qëndrueshëm dhe këmbëngulës.

#4 Rivlerësoni qëllimet e prindërimit dhe përputhshmërinë me moshën

Disiplina efektive duhet të jetë në përputhje me moshën e fëmijës.

Do të thotë se ju duhet të rivlerësoni nëse pritshmëria juaj për sjelljen e fëmijës është realiste dhe i përshtatet moshës së fëmijës.

Pse?

Sepse truri i bebeve, si trupi i bebeve, nuk vjen i kompletuar në këtë botë.

U nevojitet kohë që të rritet dhe zhvillohet.

Në trurin mendues, një zonë e quajtur korteksi pre-frontal nevojitet për të mësuar ide komplekse si disiplina.

Por korteksi pre-frontal nuk zhvillohet deri në moshën 3 vjeçare.

Kështu që fëmijët më të vegjël se 3 thjesht nuk mund të kuptojnë konceptin e disiplinës, të paktën në një mënyrë të shëndetshme për trurin e tyre.

Me bebat dhe fëmijët që sapo kanë filluar të ecin deri në moshën 4 vjeç, prindët duhet të krijojnë një ambjent të sigurtë fizik për fëmijët e tyre, ti mbikëqyrin ata dhe ti ri-drejtojnë vëmëndjen kur ata bëjnë gabime.

Por, kjo dihet që është një punë rraskapitëse.

Vërtet rraskapitëse.

Megjithatë, si prind, ju duhet të vendosni rreth asaj çka ka më shumë vlerë për ju dhe edukimin e fëmijës suaj.

Çfarë është më e rëndësishme?

• Përdorni ndëshkimin (kërkon më pak energji) Rezultati: Fëmijët që veprojnë si engjëj të përsosur nga jashtë në moshën e re, por zhvillojnë një shëndet mendor të trazuar brenda tyre kur rriten.
OSE
• Përdorni durimin (Kërkon më shumë energji -shumë më shumë)

Rezultati: Fëmijët mësojnë kur janë në gjendje të mësojnë dhe rriten me trurin e shëndetshëm.

Nëse fëmijët tuaj janë më të mëdhenj, a e gjeni veten duke luftuar me fëmijët pasi ata jo gjithmonë ju dëgjojnë?

Nëse kjo ndodh shpesh, është koha të rivlerësoni pse keni nevojë që fëmijët t’ju dëgjojnë gjatë gjithë kohës.

Ndryshe nga ç’mendohet, bindja nuk është virtyt.

Ka gjëra të cilave të gjithë, si fëmijë dhe të rritur duhet ti bindemi, për shembull ligji, instruksionet e evakuimit nga një aeroplan, rregullit në klasë, në punë, etj. Por ka shumë gjëra të tjera ndaj të cilave nuk kemi pse bindemi. Pasi ne jemi të gjithë individë me mendjen dhe preferencat tona.

Fëmijët janë gjithashtu njerëz individualë. Secili fëmijë ka mendjen e vet dhe ndonjëherë një fëmijë do ti bëjë gjërat ndryshe nga prindi apo të tjerët.

Pyesni veten: po prindëroni apo po diktoni?

Nëse qëllimi juaj i prindërimit është të rrisni një person me mendje të pavarur, aftësi kritikuese mendimi, konfidencë në vetë etj, atëherë si mund ti zhvillojë këto veti një fëmijë i cili duhet të zbatojë instruksionet tuaja në mënyrë të verbër?

Nëse doni që fëmija juaj të jetë udhëheqës dhe jo ndjekës, atëherë rritja e tyre me diktaturë nuk favorizon aftësitë e liderit.

Kështu, rivlerësoni rregullat në shtëpinë tuaj.

Pastaj mendoni nëse këto rregulla janë më të rëndësishme se zhvillimi i pavarësisë dhe gjykimit të fëmijëve tuaj.

Zgjidhni betejat tuaja.

Një shembull: Në shtëpinë tuaj mund të ketë disa rregulla të pathyeshme nga askush:

• Siguria.
• Shëndeti.
• Mos dëmto të tjerët, përfshirë njerëz, kafshë ose objekte.
• Zbatim i respektimit të burimeve si koha, energjia, financat, etj.

Gjërat e mësipërme duhen zbatuar nga të gjithë në çdo kohë.

Nëse nuk mund të blejmë dot një lodër të caktuar, nuk mund ta blejmë atë. Kjo është definitive.

Por, për thuajse çdo gjë tjetër, ne respektojmë vendimet dhe preferencat e fëmijëve tanë.

Për të disiplinuar efektivisht pa ndëshkuar:

• Modeloni sjellje të mirë.
• Përdorni pasojat natyrale për të zëvëndësuar ndëshkimin.
• Zhvilloni një listë rregullash që përshtatet me qëllimet tuaja të prindërimit dhe moshën e fëmijëve.
• Krijoni një mbledhje familjare për të diskutuar të gjitha rregullat.
• Bini dakort mbi pasojat natyrale të cilat i dini që mund të pasojnë një zgjedhje të caktuar.
• Jini këmbëngulës në përforcimin e tyre.

Neuroshkenca na ka mësuar se përvojat jetësore gjatë viteve formuese të jetës së fëmijës janë kritike në zhvillimin e trurit dhe ndërtimit të karakterit.

Nëse ne mund të mbushim jetët e fëmijëve tanë me mësime pozitive, ata do përfitojnë nga këto mësime dhe do të lulëzojnë në jetë.