Pamjaftueshmëria e Vitaminës D: Një faktor i zakonshëm rreziku për të moshuarit
Para shumë vitesh, mjekët preokupoheshin kryesisht për pamjaftueshmërinë e Vitaminës D tek fëmijët. Ushqimet fortifikoheshin me Vitamin D për parandalimin e sëmundjes kockore të quajtur ratikizëm. Tashmë e dimë që ratikizmi është vetëm maja e ajsbergut, dhe se gjithashtu të moshuarit janë të rrezikuar për pamjaftueshmëri të Vitaminës D. Sipas një studimi të kohëve të fundit, pamjaftueshmëria e Vitaminës D mund të kontribuojë tek osteoporoza, dobësimi i muskujve, fraktura të legenit, diabeti, kanceri, sëmundje të zemrës, artrit dhe përkeqësim shëndetësor tek të moshuarit.
Burimet e Vitaminës D
Vitamina D nuk është prezente në shumë ushqime, por është shumë e rëndësishme për absorbimin e kalciumit e forcimin e kockave. Vitamina D gjithashtu ndihmon për të luftuar një sërë sëmundjesh dhe është e nevojshme për funksionin e mirë nervor. Burime të Vitaminës D përfshijnë:
• Ushqimet: Ekzistojnë ushqime që përmbajnë Vitaminën D si salmoni, merluci, peshku ton, mëlçia e viçit, djathi dhe e verdha e vezës.
• Ushqime të fortifikuara me Vitamin D: meqenëse kjo vitaminë është e vështirë të gjendet natyrshëm në ushqime, shumë ushqimeve u shtohet Vitamina D. Ushqime të tilla përfshijnë qumështin, drithërat e mëngjesit, dhe disa lëngje frutash.• Drita e Diellit: Për shumë njerëz ekspozimi ndaj diellit është burimi kryesor i Vitaminës D. Drita e diellit konverton kolesterolin në Vitamin D në trupin tonë.
• Plotësues ushqimor me Vitamin D: Ekzistojnë shumë firma farmaceutike që ofrojnë plotësues ushqimorë me përmbajtje të Vitaminës D. Marrja çdo ditë e plotësuesve ushqimorë me Vitamin D rekomandohet nga mjekët në të gjithë botën për personat e moshuar në mënyrë që të parandalohen frakturat e kockave.
Përse rrezikohen të moshuarit?
Personat mbi 50 vjeç përballen me rrezik të shtuar të pamjaftueshmërisë së Vitaminës D me kalimin e viteve. Me moshimin, njerëzit humbasin një pjesë të aftësisë për të sintetizuar Vitaminën D nga rrezet e diellit. Vitamina D gjithashtu aktivizohet në veshka para se të përdoret nga trupi, dhe ky funksion gjithashtu dobësohet me rritjen e moshës. Të moshuarit që qëndrojnë në shtëpi nuk janë shumë të prirur për aktivitet fizik dhe ushtrime fizike. Studjuesit sugjerojnë se nevojiten 30 minuta ekspozimi në diell, të paktën dy herë në javë për të asimiluar sasinë e nevojshme të Vitaminës D nga dielli.
Sa Vitamin D nevojitet?
Me kalimin e moshës keni nevojë për më shumë Vitamin D. Sipas Bordit Ushqimor dhe Institutit Kombëtar të Mjekësisë amerikane,marrja adekuate e Vitaminës D deri në moshën 50 vjeç është 200 IU në ditë si për meshkujt dhe për femrat. Për moshat 50 deri 70 vjeç marrja adekuate ditore është 400 IU si për meshkujt dhe për femrat. Pas moshës 70 vjeç marrja ditore duhet të jetë 600 IU si për meshkujt dhe për femrat.
Për arsye se të moshuarit janë më të rrezikuar për pamjaftueshmërinë e Vitaminës D, janë bërë një sërë studimesh që përcaktojnë nëse marrja e plotësuesve ushqimorë sjell dobishmëri në parandalimin e rrëzimeve dhe frakturave. Disa studime kanë zbuluar se një plotësues ushqimor me 400 IU në ditë është efektive për reduktimin e rrëzimeve dhe frakturave tek të moshuarit. Studime të tjera sugjerojnë se doza më e mirë për parandalimin dhe reduktimin e frakturave është 800 -1000 IU në ditë.
Është e mundur që trupi të marrë më shumë Vitamin D seç duhet. Simptomat e toksicitetit nga Vitamina D përfshijnë dobësi trupore të përgjithshme, të vjella dhe përzierje stomaku. Shumë Vitamin D mund të rrjedhojë në rritje të nivelit të kalciumit dhe mund të shkaktojë aritmi dhe konfuzion mendor. Shumë ekspozim në diell nuk sjell shumë Vitamin D (megjithëse ekziston rreziku i kancerit të lëkurës). Marrja e më shumë se 2000 IU në ditë shkakton mbidozën e Vitaminës D.
Ide për kujdestarët e të moshuarve
Nëse jeni kujdestar të moshuarish, mëposhtë janë disa informacione që duhet ti dini rreth plotësuesve ushqimorë dhe pamjaftueshmërisë së Vitaminës D:
• Të moshuarit që nuk marrin plotësues ushqimorë me Vitamin D janë të rrezikuar për pamjaftueshmëri të kësaj vitamine.
• Jo të gjithë të moshuarit përballen me të njëjtin rrezik. Femrat janë më të rrezikuara se meshkujt. Të moshuarit me kompleksitet lëkurë më të errët nuk prodhojnë Vitamin D nga ekspozimi ndaj diellit aq mirë sa të moshuarit me lëkurë më të çelët.
• Rrezet e diellin nuk mjaftojnë. Nëse jetoni në një vend ku nuk ka shumë diell, nuk do të mund të merrni rreze dielli të mjaftueshme për të prodhuar Vitaminën D në trup, sidomos nga muaji Nëntor deri në Shkurt. Lëkura duhet të jetë e zbuluar që të përthithë rrezet e diellit (pa krem dielli). As të ulesh pranë dritares për të marrë diell nuk funksionon. Ekspozimi duhet të ndodhë në natyrë, në orët e para të mëngjesit.
• Disa mjekime si steroidët, medikamentet që ulin kolesterolin, medikamentet për uljen e peshës dhe medikamente që kontrollojnë spazmat, mund të ndërhyjnë në asimilimin e Vitaminës D nga trupi.
• Kur marrim plotësues ushqimorë me Vitamin D, duhet të marrim në konsideratë moshën, gjininë, dietën, historinë mjekësore dhe ekspozimin në diell të personave të moshuar. Konsulta me mjekun e të moshuarit rekomandohet për të vendosur dozën më të mirë me plotësues ushqimorë të Vitaminës D.