Përse sfidat dhe stresi janë të rëndësishëm për inteligjencën emocionale të fëmijëve? - asistencafamiljare.al

Blog

inteligjencën emocionale

Përse sfidat dhe stresi janë të rëndësishëm për inteligjencën emocionale të fëmijëve?

Vajza juaj e vogël është duke veshur pallton e saj. Ajo me kujdes vendos kapuçin në kokë, në mënyrë që ta ketë të lehtë më pas të fuse të dy krahët në mëngë — një truk ky, që ja kanë mësuar në kopësht. Ajo fut njërin krah, dhe i bie kapuçi. Ajo provon e provon pastaj fillon të bërtasë “MAAAAAMMIIIIIII, MË NDIHMO!”

Ti del për një shëtitje në park me fëmijët. Njëri vrapon më shpejt se tjetri dhe ky i fundit nuk e arrin dot. I pari arrin destinacionin plot gëzim ndërsa tjetri plaset në tokë me të qara se nuk është ai triumfatori.

Keni përjetuar momente të tilla? Sigurisht që po, të gjithë i njohim mirë këto skena me fëmijët tanë!

Cili është instikti juaj i parë në situata të tilla? Ta ndreqni, ta rregulloni për të problematikën e tij.

Të niseni me vrap për ti veshur vajzës pallton, apo jo? Gjithsesi, jeni me vonesë e duhet të dilni menjëherë nga shtëpia.

Për të mos u bërë gazi i botës në park, i luteni fëmijës së parë ta lërë të voglin të fitojë.

Aty për aty problem u zgjidh. Shpëtuam nga kriza. Apo jo?

Kur ne ndërhyjmë e rregullojmë gjëra për fëmijët tanë, ne i privojmë ata nga mundësia për të mësuar. Dhe jo vetëm të mësojnë si të bëjnë diçka apo të fitojnë një zhdërvjellësi, por gjithashtu të manaxhojnë emocionet që shoqërojnë stresin dhe sfidat që dalin përpara. Të mësuarit e rregullimit të emocioneve është një aspekt rëndësishëm i inteligjencës emocionale dhe është një nga detyrat primare të fëmijërisë.

Në studime të bëra rreth stileve të prindërimit, është zbuluar që sa më shumë mamatë përpiqen të rregullojnë emocionet e fëmijëve të tyre, aq më të vështirë e kanë këto fëmijë të rregullojnë emocionet e tyre në një situatë në të cilën janë vetëm.

Ne nuk na përcakton ajo çka ndodh me ne. Është mënyra si manovrojmë me sfidat që na paraqiten e cila ndërton karakterin tonë.

Në fakt, ka studime të shumta të cilat tregojnë se kur të rriturit përballen me sfida, madje dhe me tragjedi gjatë jetës, këto evenimente kanë potencialin e nevojshëm për të na prezantuar me një periudhë rritjeje të thellë.

Një studim ka treguar se kur fëmijët janë të inatosur, ata “zgjidhnin” më mirë problematikat se sa kur ishin “të lumtur” apo “të trishtuar”.

Emocionet negative, sidomos frustrimi dhe zemërimi, mund të shërbejnë për të nxitur motivimin për të arritur diçka, për ta bërë atë, për të këmbëngulur.

Të parit e sfidës (për shembull frustrimi, dështimi, zhgënjimi, pengesat, vështirësitë, mundimi) si një mundësi për të mësuar, për t’u rritur e për t’u bërë një njeri më i fortë, është përkufizimi i trimërisë në shkencën e psikologjisë.

Jo vetëm t’i mbijetojë stresit dhe sfidës, por “të rritet me forcë e dinjitet, të lulëzojë”.

Jepini fëmijës suaj Kurajë

Sido që ta quajmë, trimëri, elasticitet, apo kurajë e vërtetë, ne e dimë që fëmijëve u nevojitet të mësojnë të përballen me stresin.

Dhe hapi i parë drejt zhvillimit të forcës mendorë është aftësia për të përballuar e administruar stuhitë e emocioneve të tyre.

Si ta bëjmë këtë?

A i vëzhgojmë teksa përpëliten me pallton kokëfortë, apo presim derisa të përfundojë tantrumi? A i hedhim në thellësinë e emocioneve të tyre duke shpresuar që ata të notojnë?

JO, ne i drejtojmë ata në ujë me komardare dhe një sy vigjilent derisa sistemi i brishtë i rregullimit të emocioneve të tyre të maturohet. Por ne nuk e bëjmë notin për ta, ne i mësojmë ata të bëjnë not vetë.

Kur duhet të ndërhyjmë?

Nëse nuk ka sfida të mjaftueshme konjitive apo emocionale, përballeni me një gjendje stabël e të qetë. Pjesa më e madhe e ditës së fëmijës suaj është kështu. Duke bërë gjërat e përditshme e duke ndjekur rutinën, duke praktikuar aftësitë e mësuara tanimë, thjesht duke shijuar ekzistencën në botë.

Megjithatë, një pjesë e madhe e ditës së fëmijës suaj shpenzohet duke përjetuar pak sfidë e pak dështim.

Ata po mësojnë të mbërthejnë pallton, të lidhin lidhëset e këpucëve, të shkruajnë emrin e tyre, të ndajnë, të udhëheqin, të ndjekin, të manaxhojnë, etj.

Kur përballen me sfidën, ata rriten

Sfida = Të mësuarit

Pjesa më e madhe e ditës së fëmijës suaj duhet të jetë e balancuar.

Pa pak sfidë, motivimi për të mësuar dhe rritur zhduket. Me shumë sfidë, ata shkëputen, rraskapiten ose shpërthejnë.

Atëherë, kur ndërhyni ju? Pikërisht kur e shikoni se po teprohet.

Kur janë aq të frustruar sa nuk mund të zgjidhin problem.Kur janë aq të stresuar sa nuk mund të përqëndrohen. Duhet të përdorni intuitën tuaj për të ditur se kur diçka është e tepërt.

Edhe para se të arrijnë në atë pikë, ofroni disa sugjerime për të ndihmuar ata të zgjidhin problemin e për të administruar emocionin–por mos e bëni punën për ata e mos e ndreqni problemin.

Duhet ti rezistoni nevojës për të ndërhyrë menjëherë për ta bërë diçka për fëmijën. Mund të asistoni herë pas herë, mund të qëndroni pranë tyre, ti shikoni e ti jepni kurajo, por lejojeni ta zgjidhë vetë.

Po emocionet e fëmijëve tanë? Ne ndërhyjmë, e ndalojmë së qari, e korrigjojmë ose i shpiem në dhomë për tu qetësuar. Skenat e ngarkuara emocionale të fëmijëve janë nxitës të fuqishëm për prindët. Është e vështirë të ruash qetësinë emocionale kur njeriu i vogël pranë teje është një tërmet i vogël ndjenjash.

Ne gjithashtu nuk duam që fëmijët tanë të ndjejnë dhimbje, trishtim, stres apo frustrim. Ne jemi prindët e tyre, duhet ti bëjmë të ndjehen më mirë.

Dhe duhet. Si prindër nevojitet të jemi një vend i sigurtë ku ata mund të shprehin emocionet e tyre, duhet ti ofrojmë siguri, ti qetësojmë ndjenjat e lënduara dhe të jemi empatikë.

Tre nivele ‘ndërhyrjeje’

Hapi i parë: pranojeni dhe nderojeni emocionin që ata po përjetojnë.

Jepni mesazhin se asnjë emocion nuk është i keq dhe asnjë emocion nuk duhet shmangur. Duke bërë këtë, ju jeni një vend i sigurtë për ta, një vend ku ata mund ti shprehin emocionet e tyre.

Ju po i tregoni atyre se emocionet nuk janë diçka që duhet shmangur, por si diçka që duhet pranuar. Ju i thoni atyre —Unë të kuptoj.

“E shoh që je e frustruar me pallton tënde.”

“Ndjehesh i zhgënjyer që nuk dole i pari në garë?”

Ndonjëherë ata do të psherëtijnë dhe do vazhdojnë me gjërat e tyre, të kënaqur që ju i keni kuptuar dhe pranoni emocionin e tyre.

Kjo i ankoron ata në një vend të sigurtë ku emocionet dhe dështimi janë të pranueshëm. Por shpeshherë do ju duhet të lëvizni në hapin e dytë.

Hapi i dytë: Ndihmojini të zgjidhin problemin dhe të kalojnë përmes emocionit. 

Kjo mund të jetë një sërë gjërash.Ti kujtoni atyre se mund të përpiqen përsëri.Ti sugjeroni hapin tjetër. Ti sugjeroni të bëjnë një pushim.

“Të shohim nëse mund ta provojmë përsëri. Unë do të ndihmoj të vendosësh kapuçin dhe ti përpiqu të fusësh krahun tek mënga tjetër. Është e vështirë!” (Vini re- ju po e ndihmoni, por nuk po bëni gjithçka për të, ju pranoni dhe vlerësoni përpjekjen e saj, por ajo paltton po e vesh vetë).

“Ndonjëherë është e vështirë të jesh vëllai i vogël, apo jo? Sapo të të zgjaten pak më shumë këmbët, do vraposh edhe ti më shpejt! Ka disa lojra të lezetshme që mund ti luani të dy me vëllain e madh. Cilat lojra të pëlqejnë? Të pëlqen të luash hapa-dollapa. Është lojë shumë e këndshme.”

Hapi i tretë: Tregoni empati dhe punoni për të balancuar emocionet e tyre.

Ky hap është i nevojshëm vetëm nëse ata nuk heqin dorë. Në këtë rast, ndjehen të tronditur nga emocioni dhe e kanë të vështirë të rikthehen në gjendjen e mëparshme.

Ofrojini një përqafim, tregojini empati, tregojini siguri dhe rehati. Sugjerojini një pushim, diçka për të pirë ose ngrënë.

Shpërthimi emocional djeg shumë kalori. Nëse janë shumë të shqetësuar zgjidhja e problemit nuk funksionon. Në këtë moment ata kanë nevojë për ndërhyrjen tuaj.

Ndjekja e këtyre strategjive me fëmijën tuaj, u mundëson atyre themelet e aftësive për të cilat kanë nevojë në mënyrë që të manovrojnë me stresin.

Atyre u jepet mesazhi se emocioni nuk është diçka që duhet të të frikësojë apo të shmanget, por diçka me të cilën mund të punohet e diçka që mund të kalohet suksesshëm.

Emocioni dhe zemërimi nuk duhet të jenë arsye për tu dorëzuar. Duhet të ndihmoni fëmijën tuaj ta shfrytëzojë atë emocion, në mënyrë që të mund të çohet e të përpiqet përsëri, të kalojnë e të këmbëngulin.

Ata do të rriten e do të bëhën notarë të mirë, do ti lënë në breg komardaret e do të lënë pas ujrat e cekëta, ata do të jenë gati të përqafojnë jetën me të gjitha sfidat e veta, e të notojnë duke mos i kthyer shpinën dallgëve.

Ne nuk mund të ndalojmë dot përjetimin e stresit për fëmijët tanë. Nuk mund ti zhdukim stuhitë. Por mund ti japim atyre instrumentat e duhur për të lundruar edhe në ujrat më të vështira.