Prindërimi helikopter - asistencafamiljare.al

Blog

Prindërimi helikopter

A qëndroni pas shpinës së fëmijës suaj kur ai bën detyrat? A drejtoni çdo lëvizje të fëmijës?

“Merre këtë!  Pastro aty! Qëndro drejt! Mbaro detyrat! Mëso shumë! Thuaj faleminderit! etj.etj.” A shpenzoni një pjesë të mirë të ditës duke u fiksuar tek suksesi i fëmijës suaj? A prekupoheni nëse fëmija juaj do mund të hyjë në korin e shkollës, do luajë me ekipin e futbollit të shkollës, do mund të fitojë bursën më të mirë në fakultetin e ëndrrave tuaja?

Këto janë të gjitha cilësi të prindërimit helikopter— një term që përdoret kohëve të fundit, por që gjithashtu bazohet në studime specifike rreth sjelljeve të prindërimit dhe efektit të prindërimit tek fëmijët.

Shumica e prindërve duan më të mirën për fëmijët e tyre, dhe ata bëjnë ç’është e mundur për të qënë mbrojtësit dhe pajisësit kryesorë të gjithçkaje për fëmijët e tyre. Dashuria e thellë dhe kujdesi i madh që prindët kanë për fëmijët, mund ti shtyjë prindët të bëjnë më shumë se ç’duhet. Prindët helikopter janë shumë protektivë dhe jashtëzakonisht të përfshirë në jetët e fëmijëve të tyre.

Termi “Prind helikopter” pasqyron një prind që rri pezull mbi fëmijët, gjithmonë vigjilent, dhe hidhet drejt shpëtimit që në shenjën e parë të shqetësimit ose zhgënjimit të fëmijëve. Ky term doli në pah për herë të parë në vitin 1990 nga Foster Cline dhe Jim Fay në librin e tyre me titull “Prindërimi me dashuri dhe logjikë”, dhe gjeti konfirmim tek personeli i administratës së universiteteve të cilët vinin re se si prindët e studentëve aplikues hynin drejtpërdrejt për të bërë punën e fëmijës që në proçesin e aplikimit dhe pranimit në universitet.

Prindërimi helikopter mund të përkufizohet nga tri lloj sjelljesh që manifestojnë prindët:

  • Së pari, sjellje informacion-kërkuese ku përfshihet raportimi i hollësishëm i axhendës ditore të fëmijës, ku ndodhet, me kë shoqërohet, çfarë bën, çfarë thotë, etj. Këto prindër ndikojnë shumë në vendim-marrjen e fëmijëve dhe kërkojnë informacion të detajuar rreth notave dhe arritjeve akademike e shoqërore të fëmijës.
  • Së dyti, ndërhyrjet direkte, ku përfshihet konflikti me shokët e dhomës së fëmijës, miqtë, partnerët romantikë, madje edhe mësuesit, shefat e drejtuesit e fëmijës.
  • Së treti, kufizimi i autonomisë, që ndodh kur studentët mendojnë se prindët i ndalojnë ata të bëjnë gabimet e tyre, u kontrollojnë jetën dhe nuk mbështesin vendimet e tyre.

Ne të gjithë i duam pafund fëmijët tanë dhe duam ti mbrojmë ata nga çdo rrezik që u kanoset në shoqëri dhe jetë. Jetojmë në një botë që sa vjen e bëhet më kompetitive dhe duam ti pajisim fëmijët tanë me të gjitha avantazhet e mundshme. Por nëse e tejkalojmë masën, e gjitha do të na kthehet kundër. Një sërë studimesh gjatë dekadave të fundit kanë nxjerrë në pah një korrelacion të ngushtë midis këtij stili prindërimi dhe çështjeve të shëndetit mendor si ankthi dhe depresioni ndërkohë që fëmijët rriten dhe përpiqen t’ia dalin mbanë vetë jetës.

Ndikimet negative të prindërimit helikopter

Në 2010, studimi i kryer nga studiuesi Neil Montgomery, psikolog në Kolegjin Shtetëror Keene në Nju Hampshire, zbuloi se prindët mbi-mbrojtës kanë ndikim kohëgjatë në personalitetin e fëmijëve duke e tejzgjatur fëmijërinë e adoleshencën e tyre. Afërsisht 300 studentë universitarë u anketuan rreth nivelit të pohimeve rreth prindërimit rreth përfshirjes së prindërve në jetën e tyre. Rezultati tregoi se 10 përqind e pjesëmarrësve kishin prindër helikopterë. Studimi gjithashtu nxorri në pah se fëmijët e këtyre prindërve kishin tendenca të ishin më pak të hapur ndaj përvojave, veprimeve dhe ideve të reja, dhe ishin më vulnerabël, anksiozë, të varur dhe të vetëdijshëm për këtë.

Një studim i 2016, kryer nga Universiteti Kombëtar i Singaporit, dhe i publikuar në Ditarin e Personalitetit tregoi se fëmijët me prindër ndërhyrës që kanë pritshmëri për performancën akademike, apo që mbi-reagojnë kur fëmijët bënin gabime, kanë prirje të jenë më kritikë ndaj vetes, anksiozë dhe të depresuar. Studjuesit e kanë përkufizuar këtë si “perfeksionizëm maladaptiv,” ndryshe thënë, një prirje e fëmijëve të prindërve helikopter për të pasur frikë nga të bërit e gabimeve, dhe një prirje për të fajësuar gjithmonë veten për mungesën e perfeksionit. Kjo ndodh pasi prindët me fjalët dhe veprimet e tyre u lënë të kuptojnë këtyre fëmijëve se gjërat që ata bëjnë nuk janë asnjëherë mjaftueshëm të përkryera.

Një tjetër studim i vitit 2016 vlerësoi pyetësorët e plotësuar për prindërimin nga 377 studentë nga Universiteti i Ohios. Studentët u përgjigjën rreth stilit të prindërimit të prindërve të tyre, sa shpesh komunikonin me ta, e sa shpesh prindët ndërhyjnë në jetët e tyre. Studentët gjithashtu kompletuan një sërë testesh që vlerësonin aftësitë e tyre vendim-marrëse, performancën akademike, dhe simptomat e ankthit e depresionit. Rezultatet treguan se testet që shënonin prezencën e prindërve helikopter në jetën e studentëve shoqëroheshin me prezencë më të madhe ankthi dhe depresioni të këtyre studentëve.

Sipas këtij studimi, prindërimi helikopter “shoqërohet gjithashtu me nivel të ulët të funksionit emocional, vendim-marrës dhe akademik”.

Gjithashtu, në ditarin Hulumtime dhe Terapi Konjitive është publikuar një studim në 2017, i cili sugjeron se prindërimi helikopter mund të nxisë ankthin tek fëmijët që vuajnë nga problematikat sociale. Një grupi fëmijësh dhe prindërve të tyre iu kërkua të plotësonin sa më shumë puzzle të mundeshin në një periudhë 10 minutëshe. Prindët lejoheshin ti ndihmonin fëmijët, por pa u inkurajuar ta bënin këtë.

Studjuesit vunë re se prindët e fëmijëve me probleme sociale i preknin puzzle-t më shpesh se prindët e tjerë. Megjithëse nuk ishin negativë apo kritikë, ata ndërhynin edhe kur fëmijët nuk e kërkonin ndihmën e tyre. Studjuesit mendojnë se kjo tregon që prindët e fëmijëve shoqërisht anksiozë mund ti perceptojnë sfidat si më kërcënuese sesa këto sfida mund të jenë. Me kalimin e kohës, kjo mund të ulë aftësinë e një fëmije për të arritur suksese në mënyrë të pavarur, dhe automatikisht rrit ankthin e përjetuar.

Atëherë, në ç’mënyrë prindërimi helikopter shkakton probleme mendore tek fëmijët tanë?

Së pari, prindët helikopterë janë duke i komunikuar fëmijëve të tyre në mënyra të ndërthorta apo të drejtpërdrejta, që këta fëmijë nuk do të jenë të sigurtë nëse mami ose babi nuk kujdeset për to. Kur këta fëmijë duhet t’ia dalin jetës vetë, ata nuk janë të pregatitur për tu përballur me sfidat e jetës. Kjo paaftësi për të gjetur zgjidhje krijuese dhe për të marrë vendime, mund të shkaktojë goxha shqetësim, pasi mbrojtësit e fëmijës nuk janë aty për të dhënë ndihmë.

Së dyti, për arsye se këtyre fëmijëve nuk i janë mësuar asnjëherë aftësitë për të funksionuar në mënyrë të pavarur, dhe për shkak se ata janë ushqyer me standarte “perfeksioniste”, gjatë jetës ata mund të përjetojnë ankth, depresion, mungese vetëbesimi e vetëvlerësimi. Një çështje tjetër është se këta fëmijë nuk kanë përjetuar asnjëherë humbje apo dështim, ata mund të përjetojnë një frikë të madhe prej dështimit dhe zgjënjimit.

Së fundmi, nëse ne nuk lejojmë fëmijët tanë të kenë lirinë e të mësuarit të botës, të zbuluarit të qëllimit të tyre në jetë dhe të mësuarit të asaj çka i bën të lumtur, ata do të luftojnë gjithmonë për të gjetur lumturinë dhe për të jetuar një jetë të ekuilibruar.

Çfarë duhet të bëjmë për të shmangur vesin e prindërimit helikopter?

Të gjithë e dimë se prindërimi nuk është i lehtë. Pasja e fëmijëve dhe rritja e tyre na paraqet sfida dhe surpriza të pafundme, po gjithashtu lidhje shpirtërore të fortë dhe lumturi. Tani që e dimë se ekzagjerimi në prindërim na sjell më shumë probleme për fëmijët tanë, mund të bëjmë përmirësimet e mëposhtme në qasjen tonë të prindërimit:

  • Mbështesni rritjen dhe pavarësinë e fëmijës suaj duke i dëgjuar, dhe duke mos imponuar dëshirat tuaja tek ata.
  • Mos bëni gjithçka për fëmijët tuaj (këtu përfshihen detyrat e shtëpisë). Bëni hapa për ti mësuar gradualisht se si të përfundojnë detyrat vetë.
  • Mos u përpiqni ti ndihmoni fëmijët tu shpëtojnë pasojave të veprimeve të tyre. Këtë mund ta bëni vetëm nëse besoni se këto pasoja janë të padrejta apo ndryshojnë tërësisht jetesën e tyre.
  • Mos e rrisni fëmijën tuaj duke e bërë të besojë se duhet të trajtohen ndryshe nga fëmijët e tjerë.
  • Inkurajoni fëmijët ti zgjidhin vetë problemet e tyre duke i nxitur të bëjnë zgjedhje të shëndetshme dhe kreative.
  • Mësojini fëmijët tuaj të mbrojnë veten e tyre në mënyrë të respektueshme.
  • Kuptojini dhe pranojini dobësitë dhe forcat e fëmijëve tuaj, dhe ndihmojini ata të përdorin pikat e tyre të forta për të arritur qëllimet e tyre.

Prindët sigurisht duhet të bëjnë më të mirën e mundshme për fëmijët e tyre. Impulset për të përfshirë veten në jetën e fëmijëve shpesh vijnë tek ne si ndjesi e natyrshme e detyrimit dhe dashurisë se pakushtëzuar.

Në vend të helikopterizimit, përpiquni ti lejoni fëmijët tuaj të zbulojnë vetveten – dobësitë e tyre, forcat e tyre dhe qëllimet e ëndrrat e tyre. Ju mund ti ndihmoni ata të kenë suksese, por gjithashtu duhet ti lejoni të dështojnë. Mësojini ata si të përpiqen përsëri kur humbasin. Të mësuarit e humbjes dhe ndjesisë së dështimit, si dhe rimëkëmbja pas kësaj është një pjesë e rëndësishme e të qënurit i pavarur në botë.