Rreziqet e të jetuarit vetëm për të moshuarit - asistencafamiljare.al

Blog

Rreziqet e të jetuarit vetëm për të moshuarit

Sa vjen e më shumë të moshuar janë duke jetuar vetë dhe një numër në rritje i këtyre të moshuarve përjetojnë izolim social dhe simptoma demence. Rezultatet e një studimi prej disa dekadash nga Universiteti College London mbi ndikimin e vetmisë dhe izolimit ka treguar që si vetmia ashtu edhe kontakti jo i shpeshtë me miqtë dhe familjarët mundet në mënyrë të pavarur, të shkurtojë jetën e një personi.

Rreziqet e më shumë të moshuarve që jetojnë vetëm
Sipas Shoqatës Amerikane të Pensionistëve (AARP-American Association of Retired Persons), thuajse 90% e personave mbi 65 vjeç dëshirojnë të qëndrojnë në shtëpi, sa më gjatë të jetë e mundur. Jetesa në shtëpi dhe qëndrimi në një ambjent familjar mund të ofrojë dobi për mirëqënien emocionale të të moshuarve por, kërkimet tregojnë se një numër tronditës të moshuarish të cilët duhet të jetojnë në struktura me asistencë mjekësore profesionale, jetojnë ende në shtëpi, në më të shumtën e rasteve, vetëm.

Për disa prej nesh, përgjigja është e dukshme: që i moshuari të transferohet në një strukturë profesionale për asistencën e nevojshme, ku aktivitetet sociale, monitorimi i shëndetit dhe administrimi i medikamenteve janë të gjitha të përfshira. Megjithatë, transferimi në një strukturë të tillë, mund të jetë një vendim i vështirë, veçanërisht nëse i moshuari nuk preferon të lëvizë nga ambjenti i tij familjar.

Ata të moshuar që kanë të ardhura të ulëta ose jetojnë në varfëri, kanë shumë gjasa të jetojnë në shtëpi, edhe nëse kanë nevojë për kujdes të kualifikuar. Numrat e individëve më Alzheimer ose demenca janë befasues: prej 60-70% të të moshuarve me demenca rreth 25% e tyre jetojnë vetëm, sipas Shoqatës së Alzheimer në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Andrew Steptoe, profesor i psikologjisë në Universitetin College London, deklaron se ka mbetur shumë i befasuar me rezultatet e studimit rreth izolimit social:

“Si izolimi social, ashtu edhe vetmia, lidhen me një rrezik më të madh për shkaktimin e vdekjes,” thotë ai. “Por, mbi të gjitha, Izolimi është faktori më i rëndësishëm që kontribuon në rritjen e simptomave të vetmise dhe depresionit, madje edhe vdekjes”.

Kur të jetuarit vetëm, nuk është i sigurtë
Nëse dëshirojmë që të dashurit tanë të jenë të shëndetshëm dhe të sigurtë, është e rëndësishme të sigurohemi që ambjenti ku ata jetojnë të jetë i përshtatshëm për nevojat e tyre fizike sidomos nëse demostrojnë shenjat e para të dëmtimit konjitiv.

Nëse vini re që një i/e moshuar ka nevojë për asistencë me aktivitete ditore si ushqimi, larja ose veshja, ata mund të kenë funksion të rënë konjitiv, që shoqërohet me demencë të staditi të hershëm ose të mesëm. Edhe në shtëpinë e tyre, kombinimi i shikimit të dobët me rreziqe të vogla rreth sigurisë, mund të rrisin mjaftueshëm rrezikun për rënie, thyerje të legenit, madje edhe vdekje.
Mbajtja shënim dhe vëzhgimi i kujdesshëm i simptomave fizike, shëndetit mendor, dhe dietës ushqimore të të moshuarve, ka rëndësi kritike. Shenjat paralajmëruese se një i/e moshuar nuk është më i/e sigurtë të jetojë vetëm përfshijnë:

  • Çështje të administrimit të medikamenteve
  • Shikim i dobët
  • Izolim social
  • Harresë e takimeve
  • I/e paaftë për të kryer punë shtëpie dhe detyra ditore
  • Kequshqyerje ose mungesë oreksi
  • Sasi e madhe tapetesh, qilimash e rrugicash nëpër shtëpi
  • Rreziqe të tilla si ndriçim i dobët në shtëpi
  • Nuk paguan detyrimet në kohë
  • Mbyllje në vetvete dhe trishtim

Për të moshuarit është prioritare jetesa në ambjentin e tyre familjar. Por proçesi natyral i moshimit, mund ta vështirësojë jetën e përditshme me kalimin e kohës. Përdorimi i shërbimeve të përkujdesjes në shtëpi është një hap i rëndësishëm në uljen e rreziqeve që mund të shkaktojnë lëndime, dhe në uljen e simptomave të vetmisë, izolimit e depresionit të moshës së tretë.

Asistenca në shtëpi bazohet në principin e moshimit në shtëpi, në mënyrë që personat e moshës së tretë të mund të vazhdojnë të jetojnë në shtëpitë e tyre, sa më gjatë të jetë e mundur dhe me nivelin e kujdesit të nevojshëm për sigurinë dhe rehatinë e tyre.

Rrëzimet janë një nga arsyet kryesore që shkaktojnë transferimin e të moshuarve në spital apo struktura rezidenciale për të moshuarit. Prezenca e një miku, anëtari të familjes, apo kujdestari profesional që vazhdimisht kontrollon të moshuarin, e ul dukshëm këtë rrezik.
Nëse dëshironi që të dashurit tuaj të qëndrojnë të sigurtë dhe të qetë në shtëpinë e tyre, janë disa hapa që mund të ndërmerrni për të siguruar shtëpinë.

Mëposhtë është një listë ku mund të kontrolloni rreth modifikimeve të nevojshme për të ndihmuar të moshuarin të qëndrojë i sigurt në shtëpi.

Siguria e dyshemesë

  • Eliminoni të gjitha llojet e telave dhe kordave nga dyshemeja dhe zhvendosini ato nëpër mure.
  • Zonat ku ecin e kalojnë të moshuarit duhet të jenë pastruar nga të gjitha objektet ku ata mund të përplasen apo ti shkelin.
  • Eliminoni të gjitha rrugicat e tapetet.
  • Kontrolloni dyshemene për derdhje lëngjesh, copëza ushqimi apo frutash.
  • Shmangni përdorimin e solucioneve me dyllë apo shkëlqyes.

Instalime sigurie

  • Vendosni struktura mbajtëse në zonat me rrezik rrëshqitjeje si pranë dushit ose tualetit.
  • Vendosni një tapet banje kundër rrëshqitjes në dush.
  • Vendosni ndriçim më të fortë në zonat e errëta të shtëpisë.

Siguria në kuzhinë

  • Mbani në përdorim vetëm pajisjet esenciale të kuzhinës.
  • Hidhni të gjitha ushqimet e skaduara.
  • Të ruhen tiganët, tepsitë dhe të gjitha pajisjet më të rënda të kuzhinës në latësinë e mesit ose belit të të moshuarit.
  • Ndikoni që i/e moshuari/a të mos gatuajë shumë shpesh.
  • Peshqirët, dorezat e gatimit e leckat që mund të marrin flakë, vendosini sa më larg sobës të jetë e mundur.

Siguria personale

  • Kujtoni e rikujtoni të moshuarin duhanpirës që të mos pijë duhan pranë shtratit, veçanërisht kur ndjehet i/e lodhur
  • Vendosini medikamentet në një vend të dukshëm në mënyrë që i/e moshuari/a të mos harrojë ti marë.

Mirëmbajtja e shtëpisë

  • Kontrolloni për llampa të vjetra ose të djegura që duhen ndërruar.
  • Kontrolloni për lavamanë ose tubacione që rrjedhin ujë, dhe ndreqini ato me një hidraulik.
  • Mbajeni gradacionin e boilerit të ulët, që të mos mund të digjen të moshuarit nga hapja e rubinetit të ujit të nxehtë.
  • Kontrolloni automatin dhe sistemin elektrik për qarqe të shkurtër.