Sa e rëndësishme është loja në zhvillimin e fëmijëve?
Shumë prindër e dinë intuitivisht pse loja është e rëndësishme për fëmijët, por pavarësisht avantazheve të shumta të saj, rrallë herë loja shoqërohet me mësimin. Për pjesën më të madhe të njerëzve, të mësuarit përfshin marrjen e një aftësie specifike të re, të tilla si memorizimi i alfabetit, numërimi, shkrimi, etj. Ata besojnë se loja shërben vetëm për argëtim dhe nuk përfshin të mësuarin. Megjithatë, sipas studimeve, të luash është të mësosh. Fëmijët mësojnë duke luajtur. Rëndësia e lojës në fëmijërinë e hershme nuk mund të nënvlerësohet sepse loja është thelbësore për rritjen e një fëmije.
- Stimulon zhvillimin e hershëm të trurit
Loja mund të ndikojë në zhvillimin e trurit të një fëmije në shumë mënyra, duke përfshirë ofrimin e përvojave jetësore të cilat vendosin bazat e zhvillimit së trurit.
Truri i foshnjave është i pajisur me një mbingarkesë të lidhjeve të qelizave të trurit (sinapset). Mbiprodhimi i sinapseve lejon informacionin e kapur në vitet e para të jetës që të krijojë një themel për zhvillimin e trurit. Një mjedis i pasur me lojra dhe lodra siguron përvojat e përsosura të jetës për të ndërtuar atë themel. Nëse ato përvoja mungojnë, këto sinapse do të humbasin. Neuro-shkencëtarët kanë evidentuar se lodrat dhe lojrat mund të ndryshojnë kiminë dhe fiziologjinë e një truri.
- Përmirëson inteligjencën
Lojrat në fëmijërinë e hershme gjithashtu lidhen me nivelin e lartë të shkallës së inteligjencës në vitet e mëvonshme në jetë. Një studim i Universitetit të Arkansasit tregon se ofrimi rregullisht i lodrave për foshnjet për të luajtur, çon në IQ (koefiçent inteligjence) më të lartë nga mosha tre 3 vjeç. Psikologu Edward Fisher analizoi 46 studime të bëra përgjatë lojës. Ai evidentoi që loja mund të përmirësojë zhvillimin njohës, gjuhësor dhe shoqëror të një fëmije.
- Nxit mendimin krijues
Ndoshta përfitimi më i dukshëm i të luajturit është rritja e krijimtarisë të fëmijës. Kreativiteti është i lidhur ngushtë me të menduarit divergjent, i cili eksploron shumë zgjidhje të mundshme dhe zakonisht gjeneron ide krijuese.
Shumë studime kanë zbuluar loja është shumë e lidhur me të menduarit divergjent. Për të testuar këtë lidhje, në një studim, studiuesit caktuan rastësisht 52 fëmijë, të moshës gjashtë deri në shtatë vjeç, në dy aktivitete. Në aktivitetin e parë, fëmijët kopjuan tekstin nga një dërrasë. Në të dytën, fëmijët luanin me brumë. Më vonë, të gjithë fëmijëve iu kërkua të kryenin një projekt krijues. Një panel prej dhjetë gjyqtarësh evidentoi se projektet e krijuara nga fëmijët në grupin e brumit kishin nivel më të lartë krijues sesa ato të grupit tjetër.
Studime të tjera gjithashtu e lidhin lojën e lirë, veçanërisht lojën imagjinare, me përmirësimin e të menduarit divergjent. Lojë e lirë është lojë e pastrukturuar që inkurajon fëmijët të hulumtojnë dhe hartojnë lojrat e tyre. Loja imagjinare synon që një fëmijë të imagjinojë skenarë dhe pastaj t’a zbatojë atë. Liria e këtyre llojeve të lojrave nxit fëmijët të jenë krijues.
- Përmirëson komunikimin, fjalorin dhe gjuhën
Lidhja midis lojës në fëmijërinë e hershme dhe aftësive të komunikimit të mëvonshëm është gjithashtu e dukshme në hulumtime.
Një studim tentoi të kuptonte nëse komunikimi mund të përfitonte nga loja. Studiuesit vëzhguan atë që ndodhi kur një foshnjë filloi të luante me një lodër. Ata zbuluan se nëse nëna reagonte duke manipuluar dhe emëruar lodrat, foshnja – kur u testua tre muaj më vonë – do të kishte aftësi më të mira gjuhësore.
Një studim tjetër, i kryer nga Universiteti i Georgia, vëzhgoi gjashtëdhjetë e pesë fëmijë në në klasat e tyre në kopshte gjatë katër javëve. Prania e lojës, veçanërisht loja imagjianare, përmirësonte performancën në lexim, gjuhë dhe shkrim. Loja imagjinare është veçanërisht e dobishme sepse i lejon fëmijët e vegjël të praktikojnë fjalorin e tyre kur flasin dhe përpiqen të kuptojnë të tjerët.
- Nxit vetë-kontrollin dhe vetë-rregullimin emocional
Vetë-rregullimi është një nga aftësitë më thelbësore. Fëmijët me një vetë- rregullim të mirë i rezistojnë tundimit për të rrëmbyer objekte nga fëmijët e tjerë, kontrollojnë emocionet negative dhe marrin pjesë në aktiviteteve sfiduese.
Rregullimi i emocioneve nuk është thelbësor vetëm për suksesin akademik, por gjithashtu mund të parashikojë suksesin shoqëror të një fëmije. Në arsimin parashkollor, fëmijët që shfaqin kontroll më të mirë emocional janë më social.
- Rrit kompetencën sociale dhe empatinë
Të luash është thelbësore në zhvillimin shoqëror te fëmijët. Loja aktive e strukturuar me të tjerët – përfshirë prindërit, motrat dhe bashkëmoshatarët – është një mundësi e rëndësishme për të kultivuar aftësi shoqërore. Ndërsa luajnë së bashku, fëmijët mësojnë të bashkëpunojnë, ndjekin rregullat, zhvillojnë vetëkontroll dhe në përgjithësi shoqërohen me njerëzit e tjerë.
Fëmijët që luajnë më shumë, gjithashtu zhvillojnë më shumë empati, një tjetër element thelbësor që avancon aftësitë shoqërore. Fëmijë të tillë rriten të kuptojnë më mirë ndjenjat dhe besimet e njerëzve të tjerë.
- Shëndet më i mirë fizik dhe mendor
Ne tashmë e dimë se loja promovon rregullimin e emocioneve, e cila është thelbësore për rezistencën dhe shëndetin e një fëmije. Loja që përfshin aktivitete fizike promovon aftësi motorike, forcë dhe durim, gjë që sjell dobi të shëndetit fizik.
- Ofron mësime jete/ I përgatit fëmijët për të ardhmen
Lojë ndihmon fëmijët të zhvillojnë aftësinë për të zgjidhur problemet. Kur fëmijët provojnë role të ndryshme, ata mësojnë të marrin këndvështrime të ndryshme, të cilat do t’i ndihmojnë më tej ata në të menduarit abstrakt si edhe në promovmin e aftësive dhe roleve të ardhshme shoqërore.
- Forcon marrëdhëniet me prindërit dhe bashkëmoshatarët
Prindërit që luajnë me fëmijët e tyre formojnë një lidhje më të fortë me ta. Këto ndërveprime ofrojnë përvoja pozitive të jetës që stimulojnë zhvillimin e trurit të fëmijëve. E fundit, por jo më pak e rëndësishme, momentet e lumtura, të këndshme janë disa nga dhuratat më të çmuara që mund t’u japim fëmijëve tanë.
Burimi: https://www.parentingforbrain.com/benefits-play-learning-activities-early-childhood/