Shkenca e rregullimit emocional - asistencafamiljare.al

Blog

Shkenca e rregullimit emocional

Rregullimi emocional nuk është diçka që lind me ne. Fëmijët e vegjël nga 12 muajsh deri në 36 muajsh nuk kanë aftësi rregulluese të emocioneve. Emocionet e tyre mund të luhaten nga çasti në çast. Ti ndihmojmë të vegjëlit tanë të vetë-rregullojnë emocionet është një nga detyrat më të rëndësishme të rritjes së fëmijëve.

Ky artikull adreson rëndësinë e vetë-rregullimit emocional, si zhvillohet dhe si mund ti ndihmojmë fëmijët ta përvetësojnë këtë aftësi kritike.

Çfarë është Rregullimi Emocional / Inteligjenca Emocionale?

Rregullimi emocional konsiston në proçese të brëndshme dhe të jashtme që përfshihen në nismën, mirëmbajtjen dhe rregullimin e të ndodhurit, intensitetit dhe të shprehurit të emocioneve (Parthasarathy, 2016).

Për të rregulluar emocionet, njeriu duhet ti monitorojë, ti njohë dhe ti adaptojë ato në mënyrë optimale, në varësi të situatës.

Kini parasysh se adaptimi optimal i emocioneve nuk do të thotë gjithmonë ulje e emocioneve negative dhe rritje e emocioneve pozitive. Për shembull, kur fëmija ka dhimbje, prindërit mund të vetë-rregullojnë emocionet e tyre duke përjetuar dhimbjen e fëmijës dhe duke treguar empati ndaj tij.

Inteligjenca emocionale është aftësia e njeriut për të perceptuar emocionet e të tjerëve, ti dallojë qartë ato dhe ta përdorë këtë informacion për të lehtësuar mendimin e vet, aftësinë problem-zgjidhëse, të vepruarit dhe vetë-rregullimin emocional. Një person me inteligjencë emocionale jo vetëm mund të vetë-rregullojë emocionet, por gjithashtu mund të ndikojë dhe të manaxhojë emocionet e të tjerëve.

Rëndësia e Vetë-Rregullimit Emocional

Për të pasur inteligjencë emocionale, rregullimi emocional është i domosdoshëm. Rregullimi emocional është vital për cilësinë e jetës pasi ndikon thuajse çdo aspekt të jetesës sonë.

Marrëdhëniet Familjare

Një fëmijë që nuk mund të administrojë vetë emocionet e tij dhe krijon shpërthime inati, vendos një tension të vazhdueshëm në marrëdhëniet prind-fëmijë.

Marrëdhëniet Shoqërore

Mungesa e aftësisë për të administruar emocionet mund të shkaktojë tek fëmija cilësi personaliteti jo të favorshme si për shembull zemërimi, agresiviteti, tërheqja ose ankthi që mund të ndërhyjnë me kompetencat sociale të fëmijës.

Një fëmije të cilit i mungojnë aftësitë e rregullimit emocional, e ka më të vështirë të bëjë shokë dhe ti ruajë miqësitë me ta.

Studimet e dekadave të fundit kanë treguar se raporti shoqëror është një faktor shumë ndikues në zhvillimin e fëmijës.

Fëmijët që refuzohen nga shokët e shoqet përballen me rrezikun e pasojave negative si delinkuenca, lënia e shkollës, psikopatologji dhe abuzim me substancat narkotike.

Ata që janë të tërhequr dhe të refuzuar nga shokët kanë më shumë gjasa të bien viktima të bullizmit.

Performanca Akademike

Rregullimi emocional është një parashikues i fortë i performancës akademike. Manaxhimi i mirë emocional lejon studentët të fokusohen tek performanca gjatë vlerësimeve dhe provimeve në vend që të pushtohen nga ankthi.

Studentët që mund të vetë-rregullohen kanë vëmëndje më të mirë dhe kapacitete problem-zgjidhëse, elementë të nevojshëm për funksionin konjitiv.

Strategjitë e mira të vetë-kontrollit emocional gjithashtu shpien në performancë më të mirë në detyra që sjellin shpërblim të vonuar, vetëpërmbajtje dhe arritje të qëllimeve në plane afat-gjata.

Rezilienca dhe Shëndeti Mendor

Aftësitë efektive të rregullimit emocional lejojnë fëmijën të ketë tolerancë të lartë ndaj stresit dhe tensionit. Fëmija është më rezilient kur përballet me stresin në shtëpi, shkollë e kudo tjetër.

Shumë çrregullime klinike të fëmijëve lidhen ngushtë me rregullimin emocional, ose disregullimin.

Për shembull, disrregullimi emocional shkakton shumë probleme sjelljeje në çrregullime bihevjorale si Çrregullimi Kundërshtues Opozicional. Disrregullimi emocional është gjithashtu një faktor domethënës rreziku për çrregullimet e ankthit, çrregullimet e ngrënies dhe depresionin klinik.

Suksesi dhe mirë-qenia

Për të rriturit, emocionet luajnë një rol të rëndësishëm në adaptim.

Një i rritur që nuk mund të manaxhojë rregullimin emocional shijon më pak kënaqësi në punë dhe mirëqënien e përgjithshme.

Ekspertët bien dakort se rregullimi emocional është një nga aftësitë më të rëndësishme në zhvillimin e fëmijës.

Shkenca e rregullimit emocional

Natyra apo Mjedisi?

Studiuesit shkencorë kanë zbuluar se disa bebe kanë më shumë aftësi të lindura për të rregulluar emocionet e tyre se disa bebe të tjera. Temperamenti mund të ndikojë në aftësinë e bebes për të vetë-rregulluar emocionet.

Megjithatë, kjo aftësi nuk është gjithmonë i vetmi atribut për rregullimin emocional. Fëmijët mund të mësojnë të rregullojnë emocionet edhe nëpërmjet mjedisit të përshtatshëm.

Një studim i kryer në jetimoret rumune e ilustron më së miri këtë fakt.

Në këtë studim, një grup jetimësh u caktuan në mënyrë të rastësishme në familje strehuese me cilësi të lartë kujdesi ndërsa një grup tjetër qëndruan në jetimore. Fëmijët e adoptuar demostruan një përmirësim të dukshëm të rregullimit emocional në krahasim me grupin që qëndruan në jetimore.

Materiali gjenetik është i rëndësishëm në zhvillimin e rregullimit emocional, por gjithashtu mjedisi ku fëmija rritet është po aq i rëndësishëm, në mos më shumë.

Përvojat Jetësore dhe Arkitektura e Trurit

Kur fëmijët lindin, truri i tyre ende nuk është zhvilluar mirë. Zhvillimi i trurit të një bebeje është i ngjashëm me ndërtimin e një shtëpie.

Së pari, kemi të bëjmë me përbërjen gjenetike. Gjenetika përcakton planin bazë për zhvillimin e trurit të fëmijës. Shërben si material bazë për arkitekturën e trurit.

Pastaj janë përvojat e jetës (mjedisi). Përvojat e jetës janë materialet e ndërtimit për trurin. Ato ndikojnë thellësisht në zhvillimin e fëmijës.

Periudha e ndjeshme

Disa aftësi mësohen më mirë dhe më lehtë gjatë disa periudhave të caktuara të jetës. Këto kohë optimale quhen periudhat e ndjeshme.

Pasi ka kaluar periudha e ndjeshme e të mësuarit të një aftësie, ndodh një rënie graduale në aftësinë e të qënurit vërtet i aftë. Është ende e mundshme të fitohet aftësia e re, por do të marrë më shumë kohë dhe ka më pak gjasa të arrihet aftësia optimale. Për të bërë një analogji, kur ndërtojmë një shtëpi, pasi kemi shtruar themelet dhe kemi përfunduar disa struktura, do të jetë më e vështirë por jo e pamundur të bëjmë ndryshime të tjera në këto struktura.

Për shembull, një fëmijë mund të mësojë një gjuhë të dytë dhe të aftësohet plotësisht në gjuhën e sapomësuar shumë më lehtësisht se një i rritur. Kur fëmijët bëhen adoleshentë, kanë më shumë probleme me fonologjinë dhe proçesimin gramatikor. Kështu, periudha e ndjeshme për mësimin e gjuhëve të huaja besohet të jetë para adoleshencës.

Në projektin e jetimores rumune, jetimët e adoptuar nga familjet adoptuese para moshës 2 vjeçare zhvilluan aftësi të rregullimit emocional, në krahasim me fëmijët e mbetur në jetimore. Periudha e ndjeshme për rregullimin emocional është para moshës 2 vjeç.

Kjo nuk do të thotë që fëmijët të cilët e kanë kaluar moshën dy vjeçare kanë humbur mundësinë për të mësuar. Do të jetë një proçes më sfidues dhe do të marrë më shumë kohë për tu zhvilluar.

Megjithëse truri ynë është fleksibël, fleksibiliteti ulet me kalimin e moshës. Pra, kur flasim për zhvillimin e rregullimit emocional, është më mirë të mësohet kur fëmijët janë të vegjël sesa të korrigjohet më vonë.

Sistemi Nervor Simpatik dhe Parasimpatik

Në trurin tonë, Sistemi Nervor Autonom rregullon emocionet duke përdorur dy nën-ndarje:

  • Sistemin Nervor Simpatik, dhe
  • Sistemin Nervor Parasimpatik

Sistemi Nervor Simpatik është një sistem urgjence, ose thënë ndryshe system mobilizimi i shpejtë. Detyra kryesore e këtij sistemi është të aktivizojë reagimin lufto-ose-largohu të trupit. Mund të mendojmë për këtë sistem si pedalja e gazit në makinë. Kur aktivizohet, i lejon trupit tonë të angazhohet e të lëvizë më shpejt duke shpejtuar rrahjet e zemrës, duke ndaluar tretjen e ushqimit dhe duke prodhuar më shumë glukozë në gjak për të pajisur trupin me energji.

Sistemi Nervor Parasimpatik është një sistem qetësues që aktivizohet më ngadalë. Ky sistem prodhon reagimin qetësohu-dhe-trete për trupin në mënyrë që ky i fundit të shplodhet nga streset e jetesës. Ky sistem është si frenat e makinës. Kur aktivizohet, krijon një efekt qetësues në trupin tonë duke ulur rrahjet e zemrës, duke rritur aftësinë tretëse dhe duke ruajtur energjinë. Aktivizimi i sistemit nervor parasimpatik mundet gjithashtu të krijojë një kundër-efekt të krijuar nga sistemi nervor simpatik.

Sistemi Nervor Autonom është kritik në kontrollin e funksioneve trupore dhe mirëqënies sonë. Kur këto dy sisteme veprojnë në balancë (homeostaza), trupat tanë ( “makina”) funksionojnë mirë dhe kemi kontroll mbi emocionet.

Por kur sistemi nuk është në balancë, nevojitet rregullimi emocional për të risjellë trupin dhe emocionet në gjendje të shëndetshme dhe të balancuar.

Meqenëse reagimi lufto-ose-largohu është jetik për mbijetesën njerëzore, nuk është rastësi që një pjesë e sistemit nervor simpatik është zhvilluar që në lindje. Megjithëse bebet nuk mund të reagojnë në formën lufto-ose-largohu, aktivizimi i sistemit nervor simpatik nxit fëmijën të lajmërojë prindërit për rrezikun nëpërmjet qarjes.

Nga ana tjetër, sistemi nervor parasimpatik, nuk është zhvilluar mirë në lindje.

Foshnjat kanë disa sjellje të kufizuara vetë-rregullatore si thithja e gishtit, tërheqja ose shmangia e shikimit. Megjithatë, këto sjellje kanë efektivitet të limituar, veçanërisht nëse stimuli është këmbëngulës. Kur bebet kanë qarje të pakontrolluara, na takon ne, prindërve ti ndihmojmë të rregullojnë trupin dhe emocionet.

Si mësojnë fëmijët e vegjël vetë-rregullimin emocional

Meqenëse mjedisi dhe përvojat e hershme të jetës janë kaq të rëndësishëm në formimin e themeleve të trurit, është e rëndësishme të kuptojmë si prindërit mund të pajisin fëmijët me përvojat optimale në mënyrë që të mësojnë vetë-rregullimin.

Shumë faktorë mund të ndikojnë në zhvillimin e rregullimit emocional të fëmijës. Përveç familjeve, edhe shkolla, lagjia, shokët dhe kultura luajnë rol në këtë proçes.

Në këtë artikull fokusohemi tek prindërit dhe familja pasi këto janë përbërësit e drejtpërdrejtë dhe shpesh më të rëndësishmit në zhvillimin e fëmijës.

Fëmijët e vegjël mësojnë të rregullojnë emocionet e tyre nëpërmjet tre kanaleve që kanë lidhje të drejpërdrejtë me familjen.

  1. Vëzhgimi

Modelimi njihet prej kohësh si një mekanizëm i rëndësishëm nëpërmjet së cilës mësojnë fëmijët. Reagimet, sjelljet veset dhe çdo lëvizje e prindërve vëzhgohen në mënyrë të kujdesëshme nga fëmijët, studiohen, brendësohen dhe më pas imitohen.

Aftësia e vetë prindërve për të rregulluar emocionet e tyre është gjëja kryesore që duhet të bëjnë prindërit për të modeluar vetë-kontroll. Fëmijët mësojnë rreth reagimit të “duhur” emocional në situata të ndryshme duke parë ndërveprimin dhe shfaqjet emocionale të prindërve.

Nëse prindi është reaktiv dhe mallkon e shan kur diçka shkon keq, fëmija mëson të jetë reaktiv dhe të sillet keq kur gjërat nuk i shkojnë siç duhet.

Nëse prindi është i qetë dhe mendon në mënyrë kritike për zgjidhjen e problemeve, fëmija mëson të qëndrojë i qetë dhe të gjejë zgjidhje në vend të fajësojë e shajë të tjerët.

Sa më i vogël të jetë fëmija, aq më shumë merr karakteristikat e prindërve të tij.

Përveç vëzhgimit, fëmijët gjithashtu mësojnë nëpërmjet “ndikimit emocional”.

“Ndikimi emocional” është një fenomen që ndodh kur fëmijët ndjejnë emocionet e prindërve të tyre në mënyrë të pavetëdijshme. Kur prindërit ngrysen, ngrenë zërin apo pozojnë me xheste zemërimi, një reagim i ngjashëm shkaktohet tek fëmijët.

Për shembull, kur prindërit janë të zemëruar apo të frustruar dhe u bërtasin fëmijëve, fëmijët kanë më shumë të ngjarë të përgjigjen me emocione të ngjashme.

Ndikimi shoqëror theksohet më shumë teksa fëmijët rriten. Fëmijët më të mëdhenj mësojnë rreth emocioneve nëpërmjet referimit shoqëror. Ata nuk shohin vetëm prindërit e tyre, por edhe të rriturit e tjerë dhe shokët e shoqet për informacion emocional.

Për të ndihmuar fëmijët të mësojnë rregullimin efektiv emocional, prindërit mund:

  • Të mësojnë vetë aftësi adaptive dhe rregulluese të emocioneve,
  • Të shfaqin emocione pozitive, dhe
  • Ti ekspozojnë fëmijët ndaj mjediseve pozitive, ku njerëzit që gjenden aty posedojnë dhe shfaqin aftësi efektive të rregullimit emocional.
  1. Stili i Prindërimit dhe Praktikat

Tek foshnjat dhe fëmijët e vegjël, praktikat reaguese, të ngrohta dhe pranuese mund të sjellin rezultate pozitive të rregullimit emocional.

Kur prindërit reagojnë pozitivisht ndaj nevojave të fëmijëve, fëmijët asocojnë prindërit me lehtësimin dhe çlirimin e stresit. Studiuesit kanë vënë re se foshnjat që kanë prindër reagues ndalojnë së qari sapo e shohin ose ndjejnë zërin e prindit. Nëse prindërit nuk reagojnë menjëherë nëpërmjet veprimesh ndihmuese, foshnjat rikthehen dhe qëndrojnë në gjendje të tensionuar.

Prindërit të cilët pranojnë, tregojnë empati dhe vlerësojnë emocionet e fëmijëve të tyre, ndikojnë pozitivisht tek rregullimi emocional i fëmijëve të tyre. Këta prindër janë të vetëdijshëm për emocionet e fëmijëve të tyre. Ata i mësojnë fëmijët të verbalizojnë emocionet e tyre dhe inkurajojnë aftësinë problem-zgjidhëse.

Nga ana tjetër, prindërit të cilët janë neglizhentë dhe nuk aprovojnë shprehjen e emocioneve, veçanërisht atyre negative, ndikojnë në zhvillimin e rregullimit emocional maladaptiv. Këto prindër nuk ndjehen rehat me shprehjen e emocioneve vetë, dhe mësojnë gjithashtu fëmijët ti shtypin emocionet e tyre.

Prindërit që kanë reagime negative ose dënuese ndaj shfaqjeve emocionale të fëmijëve të tyre, mund të ndikojnë në ngritjen e nivelit të tensionit të fëmijës (sistemi nervor simpatik aktivizohet më shumë). Kjo e bën shumë të vështirë qetësimin e fëmijës. Për disa prindër, fëmija në një gjendje kaq të tensionuar mund të duket si sfidues.

Këta fëmijë jo vetë që kanë aftësi të dobëta të administrimit të emocioneve dhe nuk mund të qetësojnë një sistem të nxitur nervor! Praktikat dënuese të prindërimit nuk janë efektive në aftësimin e rregullimit emocional.

Studimet gjithashtu kanë zbuluar se inkurajimi i tepërt, ose në të kundërt dekurajimi i tepërt i fëmijëve për të shprehur emocionet negative, rezulton në më shumë probleme me administrimin e emocioneve. Prindërit që janë të qetë ose neutralë ndaj zemërimit të fëmijëve, përballen me nivele më të ulëta të shprehjes së zemërimit nga fëmijët.

Të mësuarit e strategjive përballuese (p.sh. merr frymë thellë), redrejtimi i vëmëndjes (p.sh. shiko, këtu është një arush i bardhë!) dhe ridimensionimi i situatës (p.sh. ne mund ta kthejmë këtë në një anije) kanë rezultuar si teknika të dobishme në rregullimin emocional tek fëmijët.

  1. Klima Emocionale Familjare

“Klima” e përgjithshme familjare është një parashikuese e mirë e aftësisë së fëmijëve për të vetë-rregulluar emocionet e tyre. Është shuma e emocioneve pozitive përkundrejt shumës së emocioneve negative që shprehen ndaj njëri-tjetrit në familje ajo që bën ndryshimin. (Reflekton llojin e dinamikave ndërpersonale që ndodhin brenda familjes).

Faktorët që ndikojnë klimën emocionale përfshijnë karakteristikat e prindërve, marrëdhëniet prind-fëmijë, marrëdhëniet vëllazërore mes fëmijëve, stili i prindërimit, besimi i familjes në të shprehurin e emocioneve dhe marrëdhëniet martesore midis prindërve.

Mjedisi pozitiv emocional lidhet në mënyrë të qëndrueshme ndaj rregullimit adaptive të emocioneve nga fëmijët ndërsa tensioni dhe negativiteti lidhet me strategji maladaptive.

Kur klima emocionale është pozitive, reaguese dhe e qëndrueshme, fëmijët ndjehen të sigurtë dhe të pranuar.

Kur klima emocionale është negative, armiqësore apo e paparashikueshme, fëmijët janë më të pasigurtë dhe reaktivë.

Stili i Prindërimit përfaqëson qëndrimet prindërore ndaj fëmijëve. Prindërit Autoritativë, janë të ngrohtë dhe reagues ndaj nevojave emocionale të fëmijëve. Fëmijët nga këto familje shfaqin strategji të shëndetshme të rregullimit emocional.

“Të shprehurit Familjar” është sasia e emocioneve, si pozitive dhe negative, të cilat shprehen brenda një familjeje. Megjithëse pranimi i shprehjes së emocioneve të fëmijëve lidhet me rregullim emocional më të mirë, jo të gjitha shprehjet emocionale të prindërve ndihmojnë në krijimin e një klime të favorshme familjare.

Prindërit që shprehin emocione pozitive krijojnë klimë pozitive. Megjithatë, prindërit që shprehin nivel të lartë emocionesh negative, si zemërimi, armiqësia apo kriticizmi, rezultojnë në një klimë negative e cila lidhet me rregullim jo të mirë emocional tek fëmijët.

Një nga arsyet më të zakonshme për klimë negative familjare është  konflikti martesor. Fëmijët nga këto familje mësojnë mënyra maladaptive për të administruar emocionet dhe konfliktet ndërpersonale. Këto fëmijë nuk e kanë të lehtë të zhvillojnë kompetenca sociale.