Shpërqëndrimi gjatë proçesit të Prindërimit - asistencafamiljare.al

Blog

Shpërqëndrimi gjatë proçesit të Prindërimit

Prindërimi shpesh përshkruhet si një nga detyrat më të bukura dhe njëkohësisht më stresuese që mund të marrë përsipër një njeri. Të bëhesh prind është një përgjegjësi e jashtëzakonshme që vjen me një seri rregullash të reja, dhe nevojë të domosdoshme për të qënë gjithmonë vigjilent. Por çfarë ndodh kur prindët kalojnë nga domosdoshmëria e të qënurit prezentë dhe vigjilentë, në varësinë ndaj telefonin pak më shpesh seç duhet?

Termi që përdoret për të përshkruar këtë fenomen quhet Prindërim i Shpërqëndruar. Mund të mos e keni dëgjuar më parë këtë term, por sigurisht që e keni hasur në jetën e përditshme. Mëposhtë janë disa shembuj të prindërimit të shpërqëndruar:

• Një familje e tërë në një restorant, secili në telefonin e vet, pa komunikuar dhe pa bërë kontakt me sy.
• Në këndin e lojrave, një fëmijë kryen një sjellje të papërshtatshme e cila mund të korrigjohet aty për aty, nëse prindi i tij nuk do të ishte duke dërguar një tekst nga telefoni që ka në dorë.
• Në një eveniment, vërehet një fëmijë që vrapon jashtë derës, pa një të rritur pranë, dhe ju pyesni veten, “Ku është ky prind?”

Këto situata janë të kudondodhura, dhe shkaktojnë shqetësim mes profesionistëve të pediatrisë. Shoqata Amerikane e Pediatrisë ka publikuar së fundmi se sa vjen e më shumë fëmijë po trajtohen për lëndime serioze në këndin e lojrave, krahasuar me vitet e dekadat e mëparshme. Gjatë studimit u konstatua se në këndin e lojrave prindët qëndronin shumicën e kohës të fokusuar tek telefoni i tyre, dhe bënin gjëra të tjera më shpesh sesa ruanin dhe vëzhgonin fëmijët e tyre.

Rreziku i Prindërimit të Shpërqëndruar

Këto prindër të shpërqëndruar u lejojnë fëmijëve mundësinë perfekte për të marrë përsipër rreziqe, të cilat mund të parandalohen si hedhja e rërës, hedhja nga lartësi të papërshtatshme, zënia me fëmijët e tjerë, etj. Mbi 200,000 fëmijë nën moshën 14 vjeçare trajtohen në urgjencat amerikane për plagë dhe lëndime në këndin e lojrave çdo vit. Fëmijët gjithmonë marrin rrezik përsipër, dhe megjithëse asnjë nga fëmijët e studiuar nuk u lëndua fatalisht, studiuesit konkluduan se fëmijët marrin më shumë rreziqe përsipër kur prindët e tyre janë të shpërqëndruar.

Jo vetëm ka rrezik për dëmtime fizike kur ndodh prindërimi i shpërqëndruar, por fëmijët dëmtohen emocionalisht kur ndjejnë se prindi i tyre është shumë i zënë dhe i pavëmëndshëm për tu lidhur me të në momentin që janë bashkë. Fëmijët mund të përfshihen në sjellje të rrezikshme vetëm për të tërhequr vëmëndjen e prindërve të shpërqëndruar. Këto prindër nuk janë aq reagues ndaj nevojave të fëmijëve të tyre dhe nuk janë aq të ndjeshëm ndaj nevojave të fëmijëve.

Prindërit ka më shumë të ngjarë të shpërndajnë në Instagram foton e fëmijës që luan në rrëshkitëse se sat ë luajnë në rrëshkitëse me të. Prindët ka të ngjarë të kenë më shumë interes tek postimi i darkës familjare sesa të marrin pjesë në bisedën familjare rreth tavolinës. Këto veprime, mungesa e kontaktit të syve, zhvillimi i bisedave dhe pjesëmarrja aktive në lojë mund të shkaktojnë që fëmijët të pyesin veten se çfarë nevojitet të bëjnë që të tërheqin vëmëndjen e prindit.

Shpërqëndrimet janë pjesë e jetës, por mund të administrohen

Të jesh i shpërqëndruar gjatë prindërimit është diçka e pritshme deri diku, veçanërisht nëse prindi ka shumë fëmijë, nëse ka orare të zgjatura në punë dhe obligime pune edhe pas orarit të punës. Është pjesë e jetës familjare ku duhen ekuilibruar detyrat, vaktet ushqimore, puna dhe buxheti.
Megjithatë, ajo çka ka rëndësi është niveli i shpërqëndrimit. Fëmijët e vegjel dhe adoleshentët janë të vetëdijshëm kur njerëzit e rëndësishëm të jetës së tyre si prindët, nuk tregojnë vëmëndje për nevojat e tyre fizike dhe emocionale. Në ato momente, kur fëmija ndjen mungesën e lidhjes me kujdestarin e tij, ato testojnë durimin e të rriturit, duke u hedhur nga lartësitë, duke dalë nga dera me vrap në rrugë, duke lënë orët e mësimit, etj, me shpresën se dikush do ti kushtojë vëmëndje.

Bëni përpjekje për të qënë të vëmëndshëm dhe të përgjegjshëm

Nëse mendoni se keni vështirësi me përqëndrimin, në prindërim, udhëheqje, mësimdhënie ose kujdesin për fëmijët, mendoni rreth zakoneve tuaja dhe bëjini vetes këto pyetje:

• Kur është hera e fundit që keni luajtur me fëmijët tuaj, qofshin këta foshnja, fëmijë të vegjël, fëmijë shkollorë apo adoleshentë?
• Kur ishte biseda e fundit që keni bërë rreth tavolinës si familje?
• Pyesni fëmijët tuaj nëse e ndjejnë se ju jeni të shpërqëndruar. Thjesht tregohuni të ndershëm kur hapni këtë rrugë komunikimi dhe mos u mbroni nëse ata ju deklarojnë nevojat e tyre.
• Mendoni për bisedën e fundit që keni bërë me një të rritur: A ishte shoku/shoqja juaj në telefon? A keni shkembyer kontakt me sy?A jeni ndjerë se ju ka dëgjuar?
• çfarë ju bën të ndjeheni se ju kanë dëgjuar? E njëjta gjë ndodh dhe me fëmijët dhe adoleshentët në jetën tuaj.

Do të ketë gjithmonë shpërqëndrime në jetët tona. Të gjithë në do të përjetojmë momente “dështimi në prindërim” gjatë proçesit të gjatë të prindërimit, por këto duhet të jenë pikërisht ato momente që shkaktojnë ndryshime në sjelljet tona. Të gjithë mund të mësojmë të jemi më pak të shpërqëndruar dhe më aktivë në jetët tona familjare. Mund të përmirësojmë raportet tona njerëzore, të mbyllim kompjuterin, të lëmë mënjanë telefonin dhe të fikim televizorin në mënyrë që të angazhohemi në jetët e fëmijëve tanë, në biseda jetësore dhe të gjalla me ta, me kontakt sysh dhe kohë për të luajtur.