Shumë Teknologji: Përdorimi i tepërt i teknologjisë nga prindërit lidhet me probleme të sjelljes tek fëmijët
Nuk është gjithmonë e mundur të kuptohet çfarë shkakton shpërthimet e inatit tek fëmijët e vegjël. Gjumi? Koha e reduktuar në pajisje elektronike? Këmbëngulja juaj për t’i veshur një këmishë? Kur nuk ka shkak të qartë përshpërthimet e inatit, një studim i ri sugjeron që prindërit të rishikojnë një raport të papritur: koha midis vetë prindërve dhe telefonave të tyre.
Studimi, i kryer nga Universiteti i Miçigan, Spitali i Fëmijëve Mott dhe Universiteti Shtërëror i Illinois, përfshiu 170 shtëpi me dy prindër. Megjithëse nevojiten më shumë të dhëna dhe më shumë prindër për të arritur një konkluzion përfundimtar, studiuesit sugjerojnë se ka një lidhje midis përdorimit të konsiderueshëm të teknologjisë nga mamatë dhe baballarët dhe çështjeve të sjelljes tek fëmijët.
Së pari studiuesit kanë kërkuar që prindërit të plotësojnë një pyetësor rreth përdorimit të telefonave, kompjuterave edhe pajisjeve të tjera teknologjike:
• Sa të vështirë e keni të injoroni kontrollin e një mesazhi të shkruar që ju vjen në telefon?
• Sa shpesh preokupoheni për thirrje apo mesazhe telefonike?
• A mendoni se e përdorni shumë telefonin?
Së dyti, prindërit u pyetën se si përdorimi i pajisjeve teknologjike ndërhyn në kohën e tyre pranë familjes:
• A keni kontrolluar në telefon për mesazhe gjatë ngrënies së një vakti, lojës apo aktiviteteve rutinë?
• A keni kontrolluar telefonin për mesazhe gjatë bisedës me fëmijën?
Së fundmi, u pyetën rreth sjelljes së fëmijëve brenda dy muajve të fundit:
• Sa shpesh ankohet apo vrenjtet në fytyrë fëmija?
• Sa të shpeshta janë shpërthimet e inatit?
• A frustrohet lehtësisht fëmija?
• A tregon fëmija shenja hiperaktiviteti dhe mospërmbajtje?
48 përqind e prindërve thanë se dy ose tre ndërprerje teknologjike ishin standarde brenda një dite, ndërsa 17 përqind raportuan vetëm një ndërprerje. Vetëm 11 përqind e prindërve deklaruan zero ndërprerje teknologjike. Megjithëse kjo ishte e njëjta gjë si për mamatë edhe për baballarët, mamatë e perceptonin këtë fenomen si më problematik se baballarët.
Pasi u analizuan të dhënat dhe u kontrolluan për faktorë si stresi prindëror, depresioni, të ardhurat, cilësia e arsimimit dhe bashkë-prindërimit, studimi hipotetizon se edhe ndërprerjet e vogla dhe nivelet normale të ndërprerjes teknologjike kanë lidhje me probleme sjelljesh tek fëmijët si hiperaktiviteti, grindjet dhe shpërthimet e inatit.
“Ne e dimë se reagimi i prindërve ndaj nevojave të fëmijës ndryshon kur prindërit përdorin pajisje teknologjike dhe se përdorimi i këtyre pajisjeve mund të shoqërohet me ndërveprime jo optimale me fëmijët,” thotë Autorja Jenny Radesky.
“Është vërtet e vështirë të gërshetohet vëmendja jonë si me informacionet tërheqëse të këtyre pajisjeve, ashtu edhe me informacionet emocionale e sociale të fëmijëve dhe më pas të proçesohen efektivisht në të njëjtën kohë këto informacione krejtësisht të ndryshme nga njëra-tjetra.”
“Është gjithashtu e mundur që prindërit me fëmijë të cilët shfaqin vështirësi në sjellje, të tërhiqen ose të shkarkojnë stresin duke u marrë me telefonin gjatë kohës në të cilën kujdesen për fëmijët e tyre,” thotë ajo.
Përfundimisht, nevojitet më shumë informacion dhe më shumë studime për të mbërritur në një konkluzion. Megjithëse mund të mos ketë një korrelacion të drejtpërdrejtë midis ndërprerjeve teknologjike dhe sjelljeve të fëmijëve, është e vërtetë se raportet midis prindërve dhe pajisjeve teknologjike janë të pranishm edhe të qarta.