Si mund të përballoni ankesat dhe grindjet e të moshuarve?
Shoqëron mamanë tek doktori i saj dhe ajo mërzitet pasi (a thua se është faji yt) gjithçka atje “zgjat sa një jetë e tërë”. Ndihmon babain me kopshtarinë dhe ai mërzitet pasi ti nuk e korre barin ashtu siç duhet.
Përse aknohen kaq shumë të moshuarit, edhe pse ne angazhohemi pafundësisht që t’ua bëjmë jetesën sa më të lehtë? Ka një numër shkaqesh të mundshme për këtë lloj sjellje dhe një pyetje e thjeshtë mund t’ju ndihmojë të kuptoni shumë: A ka qenë ky njeri gjithmonë kaq negativ dhe i prirur për ankesa, apo është ky fenomen një ndryshim në personalitetin e tij?
Ankesat mund të jenë të rrënjosura
Nëse një i/e moshuar ka qenë gjithmonë një njeri i/e grindur, të ankuarit mund të jetë e vetmja mënyrë që ai/ajo njeh për të komunikuar. Ka shumë të ngjarë që ai/ajo të mos jetë i/e vetëdijshëm/me për mënyrën se si qëndrimi i tij/saj ndikon tek të tjerët.
Jooo, Grindjet dhe kapriçot për çdo gjë në jetë—sidomos për gjërat që ju sforcoheni ti bëni për ta—nuk janë të pranueshme. Megjithatë, ka shumë pak të ngjarë që ju do mundeni ti ndryshoni personalitetin në këtë fazë. Në fakt, frustrimet fizike dhe mendore që shoqërojnë moshimin me shumë probabilitet intensifikojnë një predizpozitë tashmë negative tek personat. Kjo është shumë e rëndësishme ta dini, veçanërisht nëse ju jeni kujdestari kryesor dhe po shteroni ndërkohë që përballoni këtë lloj pesimizmi.
Negativitet i sapo dalë në pah
Anasjelltas, për disa të moshuar, mendësia negative dhe ankesat e vazhdueshme janë një fenomen i ri. Nëse mamaja juaj ka qënë gjithmonë një zonjë e dashur dhe e turpshme, por tani është tjetërsuar, apo burri juaj ka qënë i gëzuar dhe babaxhan dhe tani është kthyer në një njeri kontrollues dhe plot inat e mëri, këtë duhet ta interpretoni si një shenjë e diçkaje që nuk shkon. Për fat të mirë, ndryshimet e reja të personalitetit janë të lehta për tu adresuar, dhe shumica prej tyre mund të ndreqen.
Të moshuarit shfaqin simptoma të ndryshme infeksioni
Një infeksion i rrugëve të urinës mund të ketë një ndikim të papritur dhe domethënës në sjelljet e një të moshuari. Shumica e njerëzve janë të vetëdijshëm për simptomat fizike të një infeksioni të rrugëve urinare, si për shëmbull dhimbje, djegie dhe një nevojë këmbëngulëse për të urinuar. Por, për shumë individë të moshuar, simptoma sjelljeje si konfuzioni dhe irritimi janë të vetmit indikues të një infeksioni. Kjo është gjëja e parë që kujdestari duhet të kontrollojë kur të moshuarit e dashur përjetojnë ndryshim të pazakonshëm dhe të papritur të sjelljes.
Mjekimet mund të shkaktojnë ndryshime personaliteti
Shumë medikamente mund të shkaktojnë efekte anësorë serioze ku përfshihen edhe ndryshimet e personalitetit. Ilaçet psikiatrike janë shëmbull i qartë i këtyre ndryshimeve. Ato janë krijuar për të ndryshuar kiminë e trurit në mënyrë që të përmirësojnë gjendjet emocionale dhe sjelljen, por mënyra se si ato funksionojnë në trup është shumë e komplikuar. Disa lloje të këtyre ilaçeve thjesht nuk funksionojnë mirë me proçeset kimike në trurin e disa personave. Në disa raste, mjekimi i gabuar, mund të përkeqësojë kondicionet e tyre. Nëse personi juaj i dashur ka filluar të përdorë antidepresantë apo ilaçe të tjera psikiatrike, mos mendoni se gjërat do vijnë e do përmirësohen. Disa prej këtyre medikamenteve duhet të merren për disa javë për të mbërritur efektin e dëshiruar, qoftë ky pozitiv apo negativ. Komunikoni me mjekun e prindit tuaj rreth ndryshimeve të humorit dhe sjelljes së të moshuarit/ës, për tu siguruar se mjekimi i ri dhe dozimi i tij është ende i përshtatshëm për kondicionin e të moshuarit/ës.
Edhe disa mjekime të tjera mund të sjellin efekte negative tek personaliteti i të moshuarit. Mjekimet anti-spazmatike, statinat, medikamentet e tensionit të gjakut, madje edhe medikamentet anti-inflamatore mund të shkaktojnë ndryshime personaliteti tek disa persona. Ndërveprimet e ilaçeve mund të jenë gjithashtu problematike, kësisoj, nëse i moshuari juaj merr disa lloj mjekimesh, kombinimi duhet të kontrollohet gjithmonë nga një farmacist për efekte anësore që mund të shkaktohen.
Dhimbja mund t’i bëjë të gjithë ‘të xhindosur”
Nëse i moshuari juaj ka qënë mirë, dhe papritmas kthehet në një njeri të irrituar që ankohet për gjithçka, konsultohuni me doktorin për tu siguruar që nuk ka ndryshime të dhimbshme në shëndetin e tyre. Shumë të moshuar “nuk duan të ankohen,” keshtu refuzojnë të shkojnë tek doktori. Në mënyrë ironike, gjithsesi ato vazhdojnë të gërricen me familjarët gjatë tërë ditës. Ankesat mund të jenë për dhimbjen që ndjejnë, ose mund të shprehin frustrimin dhe parehatinë duke kritikuar gjithçka rreth e rrotull. Shikoni për shenja të dukshme që ata mund të kenë nevojë të bëjnë vizitën tek mjeku për ti qetësuar dhimbjen. Dhimbjet e artikulacioneve janë burim i zakonshëm i parehatisë për shumicën e të moshuarve, dhe ndikimet tregojnë ndryshime në ecje (për shëmbull çalojnë, lëvizin më ngadalë, ecin më pak), probleme me shkathtësine e zhdërvjellësinë, ose fiksohen në zona të caktuara të artikulacioneve ose trupit.
Ankesat mund të burojnë nga mërzia ose vetë-titullimi
Kur njerëzit janë në moshë pune, rrisin fëmijë dhe shoqërohen me miq, ata mund të ndjejnë se duhet ti vënë fre anës së tyre negative. Kur përgjegjësitë e tyre bien ose ata dalin në pension, ata mund të ndjehen se tani e kanë “fituar” të drejtën për të thënë pikërisht atë që mendojnë dhe ndjejnë. Dhe në pjesën më të madhe, ata mund të jenë negativë nëse janë të mërzitur dhe nuk e kanë më ndjesinë e të pasurit qëllime në jetë. Këto emocione shpesh komplikohen kur shoqërohen me lëvizshmëri të kufizuar, rënien e energjive dhe ndryshime të tjera të moshës që ndikojnë në jetën e tyre të përditshme. Punoni me të moshuarit për ti ndihmuar të gjejnë një hobi ose aktivitet që i mban aktivë dhe i bën të ndjehen të plotë.
Mund të jetë faji i demencës
Dëmtimi i kujtesës është simptoma klasike që shumica e njerëzve shoqërojnë me demencën, por ndryshimet e personalitetit mund të jenë shenjat e para që shfaqen tek disa të moshuar. Problemet me kujtesën mund të mos vihen re nga miqtë dhe familjarët për shumë kohë, veçanërisht nëse njeriu i dashur është shumë i zoti për të kompensuar apo për të mbuluar mangësitë. Megjithëse mund të mos jetë e dukshme harresa e tyre, ata sa vjen e mund të jenë më të irrituar dhe shqetësohen lehtësisht për shkak të vështirësive me veprimtarinë e tyre bazë dhe lapsuset e kujtesës. Sëmundja e Alzheimer, Sëmundja e Pick dhe demenca të tjera shpesh sjellin ndryshime të mëdha personaliteti. Nëse dyshoni se sjellja e re e një të moshuari mund të jetë pasojë e demencës, është e rëndësishme që ta shoqëroni tek mjeku për një vlerësim të plotë fizik dhe neurologjik.
Çfarë mund të bëj për ankesat e pafundme të një të moshuari?
Në disa shembuj të sipërpërmendur, ndihma mjekësore është e nevojshme për të ndihmuar me balancimin e mjekimeve të të moshuarit, të trajtojë një infeksion apo të kontrollojë një dhimbje kronike. Nëse demenca është faktori kryesor, rishtazi kanë dalë mjekime të reja që ndihmojnë me minimizimin e ndryshimit të personalitetit e keqsjelljes. Për shumë të moshuar, mjekimet kundër ankthit, madje edhe anti-psikotikët mund të bëjnë një ndryshim të madh. Të gjitha mundësitë duhen shqyrtuar.
Gjithsesi, nëse personi juaj i dashur ka qënë gjithmonë negativ dhe shumë i vështirë për tu kenaqur, këtu përballeni me disa zgjedhje të vështira. Ju mund të jeni duke bërë gjënë e duhur duke ofruar kujdes për këtë person pavarësisht defekteve të tij, por duhet të bëni gjithashtu disa hapa për të mbrojtur dhe siguruar mirëqënien tuaj emocionale. Shumica prej nesh nuk do shohim kurrë ndryshime tek një i/e moshuar që është konsoliduar në huqet e veta. Ndonjëherë, nëpërmjet këshillimit psikologjik, anëtarët e familjes mund të mësojnë disa teknika si de-atashimi për të krijuar një atmosferë ku ruhen ekuilibrat mendorë, fizikë dhe emocionalë.
Në raste të tjera, është më e shëndetshme për fëmijët e të moshuarve, të delegojnë rolin e kujdestarit tek dikush tjetër, të paktën pjesërisht. Lejoni dikë tjetër të marrë përsipër disa aspekte të kujdesit ditor në mënyrë që jut ë ruani shëndetin tuaj mendor e fizik. Personi tjetër mund të jetë një tjetër anëtar i familjes, një kujdestare e paguar të moshuarish, apo një strukturë ditore apo rezidenciale për të moshuarit. Në këtë mënyrë mund të minimizoni ekspozimin ndaj negativitetit të personit tuaj të dashur dhe të siguroheni që ai/ajo po merr kujdesin dhe shërbimin që i nevojitet.