Vetmia tek të moshuarit: Si ndikon tek shëndeti dhe ç’duhet të bëjmë për të?
Rrethi shoqëror që sa vjen e ngushtohet, shëndeti i përkeqësuar, ndryshimet jetësore, sfidat e lëvizshmërisë e transportit, rënia fizike dhe ekonomike, të gjitha këto kontribuojnë në izolimin e personave që i përkasin moshës së tretë. Izolimi sjell vetminë dhe si rrjedhojë efekte shkatërruese për shëndetin dhe cilësinë e jetës. Për fat të mirë, ekzistojnë disa gjëra të cilat mund ti bëjmë për të lehtësuar izolimin e të moshuarve tanë të dashur.
Rreziqet shëndetësore të vetmisë
Nuk është e thënë të jesh vetëm që të përjetosh vetmi. Vetmia është perceptimi i të qënurit vetëm dhe në izolim dhe të pasurit e ndjenjës së shkëputjes.
Kjo gjendje emocionale sjell pasoja fizike që mund të jenë shkatërruese, veçanërisht për të moshuarit:
• Mungesa e lidhjeve shoqërore është po aq me rrezik për shkaktimin e vdekjes sa duhanpirja dhe obeziteti.
• Vetmia mund të shkaktojë rritje të tensionit të gjakut, të rrisë rrezikun për depresion dhe të shkaktojë një nivel të lartë të hormonit të stresit të ashtuquajtur kortizol.
• Njerëzit me sasi të vogël lidhjesh shoqërore, ose njerëzit që ndjehen të vetmuar përballen me 29% rrezik të shtuar për sëmundje kardiovaskulare dhe 32% rrezik të shtuar për goditje ishemike.
• Njerëzit e vetmuar kanë një rënie më të shpejtë konjitive se njerëzit që kanë lidhje të kënaqshme shoqërore.
Dobitë e të qënurit të shoqëruar
Nëse të qenurit të vetmuar dëmton cilësinë tuaj të jetesës, vlen të arsyetojmë se të qënurit shoqërisht të lidhur mund ta përmirësojë ndjeshëm atë.
Studimet e shumta e mbështesin fuqishëm shoqërizimin.
Sipas Këshillit Global mbi Shëndetin e Trurit, evidencat sugjerojnë se angazhimi shoqëror mund të ndihmojë në mirëmbajtjen e aftësive të të menduarit dhe me ngadalësimin e rënies së aftësive konjitive. Studime të tjera e lidhin jetën aktive sociale me shëndet më të mirë kardiovaskular dhe rritje të imunitetit ndaj sëmundjeve infektive.
Përse ndodh kjo?
Patricia Churchland, një filozofe bashkëkohore e cila fokusohet në filozofi dhe neuroshkencë, sqaron: “Ne duam të përkasim, dhe përkatësia e kujdesi për të tjerët përbën themelin e sensit tonë të ekzistencës në univers.”
Kur nuk përjetojmë përkatësinë, sensi ynë i vetes ndjehet i kërcënuar. Njësoj siç ndodh kur ndjehemi fizikisht të kërcënuar, trupat tanë përgjigjen me hormone stresi, të cilat mund të shkaktojnë pasoja negative nëse këmbëngulin në organizëm për një kohë të gjatë. Kur nuk ndjehemi të kërcënuar, trupat tanë nuk prodhojnë sasi të shtuar hormonesh stresi.
Aktivitetet shoqërore na mbajnë të lidhur me njëri-tjetrin. Kur përjetojmë përkatësi, ndjejmë mbështetje emocionale dhe e dimë se na duan të tjerët, dhe jeta jonë ka rëndësi për ta. Perceptimi i mbështetjes emocionale sjell veçse një jetë më të shëndetshme dhe pozitive.
Zgjidhja e problemit të vetmisë së të moshuarve
Çfarë mund të bëjmë për të luftuar vetminë dhe izolimin e të moshuarve?
Disa hapa të thjeshtë që mund të ndërmerren për të krijuar lidhje të forta dhe domethënëse me të tjerët:
1. Shpenzoni kohë përballë njëri-tjetrit. Vizitat, telefonatat, madje dhe video-telefonatat nëse jetoni larg, janë një zgjidhje e mirë për ti dhënë mbështetje të moshuarve në jetën tuaj. Megjithatë, gjëja më e rëndësishme është shpenzimi i kohës suaj ballë për ballë me personat e moshuar. Në fakt, një studim i vitit 2015 zbuloi se dobitë mentale të ndërveprimeve të rregullta sociale ballë për ballë — veçanërisht në grupmoshën e individëve të moshuar — reduktojnë dukshëm rrezikun e depresionit.
Gjëra që mund të bëni nëse jeni i/e moshuar:
• Caktoni një datë të rregullt për kafe ose çaj me një shok/shoqe.
• Ftoni dikë për drekë ose darkë në shtëpinë tuaj.
• Shëtisni qenin në një park ose ambjent ku gjenden edhe njerëz të tjerë me të cilët mund të shkëmbeni biseda.
2. Aktivitete në grup. Një studim Australian zbuloi se për çdo aktivitet grupi që pjesëmarrësit humbën në vitin pas daljes në pension, cilësia e tyre e jetës pësoi një rënie prej 10%. Edhe nëse nuk ju pëlqejnë grupet e mëdha, ka mënyra për tu përfshirë në grupe të vogla. Grupimet me njerëz të tjerë e përmirësojnë dukshëm jetën:
• Përfshihuni si vullnetarë në një grup shoqëror, shkollor ose organizatë jofitimprurëse.
• Eksploroni opsionet që ofrojnë strukturat fetare ku aderoni, si për shëmbull aktivitetet e shërbimit, korit muzikor, etj.
• Argëtohuni në muze, teatër, panaire të ndryshme, ose grupime lojrash ku mblidhen pensionistët e tjerë.
3. Qendra rezidenciale të moshuarish. Shumë të moshuar të cilët vizitojnë qendra sociale ditore apo rezidenciale, kanë shprehur se jeta e tyre është përmirësuar dukshëm që sapo kanë filluar të shoqërizohen me të tjerë. Me kalimin e ditëve, shoqet e shokët e ri të të njëjtës moshë fillojnë të ndjehen sikur i përkasin të njëjtës familje. Madje, edhe çifte të moshuarish zgjedhin të kalojnë ditën e tyre në një qendër ditore ose rezidenciale. Nëse diçka i ndodh ndonjërit prej tyre, aty do të gjejë mbështetje nga të tjerët e do ndjejë më pak vetmi.
Vetmia nuk duhet të konsiderohet si pjesë normale e moshimit. Ajo duhet njohur dhe pranuar, dhe pas këtij proçesi, duhen bërë hapa drejt një jete më të mirë dhe më të gjatë, ku mbështetja shoqërore luan rol shumë të rëndësishëm.