Sjellje që duhen evituar në marrëdhënien me fëmijën
02.04.2021
Marrëdhënia me fëmijët kërkon një kujdes të veçantë. Në artikullin më poshtë do të gjeni disa këshilla nga pediatrja Lira Gjika, mbi disa sjellje që duhen evituar në marrëdhëniet me fëmijën.
- Mosplotësimi i nevojave të fëmijës: Veshja e keqe, jo sipas sezonit. mbajtja brënda në shtëpi për kohë të gjatë, lënia vetëm, evitimi i shëtitjeve dhe lojrave në natyrë, evitimi i banjave, ushqyerje jo cilësore.
- Kujdes i tepruar. Çuarja vazhdimisht tek mjeku dhe mjekë të ndryshëm, për të verifikuar diagnozën, mjekimin apo zhvillimin e fëmijës. Moslejimi i fëmijës të luaj si gjithë fëmijët nga frika se do të sëmuret. Moslënia të provojë ushqime të ndryshme nga frika se i bëjnë keq. Mbrojtja nga përballja me dështimin se mos mërzitet.
- Të evitohen fyerjet dhe etiketimet si: budalla, i shëmtuar, nuk di asgjë, nuk të kam xhan po nuk bëre si të them unë.
- Pretendimi që të jetë gjithnjë më i miri: në shkollë, në sport apo në aktivitete të ndryshme që merr pjesë.
- Trajtimi sikur fëmija është më i vogël se çështë: ta veshin e t’i bëjnë banjë prindërit, kur mund ti bëjë vetë. Të mos i shpjegohet se çfar po ndodh rreth tij: situa te të ndryshme që ndodhin në familje, si vdekje, sëmundje, grindje në familje apo divorc,
- Të ndërtohet marëdhënie sikur është i madh: pra të pretendohet të sillet si i rritur, të vihet në shërbim të të rritur të sëmurë, apo ti kërkohet të kujdeset për vëllezërit dhe motrat më të vegjël. Të lejohet të frekuentojë vënde e njerëz problematikë, që nuk janë të përshtatshëm për moshën e tij, siç janë vendet ku luhet bixhoz apo konsumohet alkool apo drogë.
- Përfshirja në grindjet ndërmjet partnerve: Të pyetet kush ka të drejtë nga prindërit. Përjashtimin e një prindi nga jeta e fëmijës. Etiketimi i karakteristikave të fëmijës që janë të njëjta me ato të prindit të përjashtuar. Të penguarit e fëmijës të takojë prindin tjetër, ta dojë atë, duke e kërcënuar se do ta braktisin apo ndëshkojnë.
- Ekspozimi i fëmijës me skena të dhunës fizike e verbale, ndërmjet prindërve: Si rrahja e nënës apo sharjet dhe fyerjet mes njëritjetrin të dy prindërit. Kërcënime të ndryshme që i bëjnë njëritjetrit. Këto ngjarje lenë gjurmë dhe e manipulojnë në psihën e fëmijës, në të ardhme.
- Ushtrimi i dhunës fizike ndaj fëmijës: Si gjuajtja me shpulla, shkulja e veshit, shkulja e flokëve, ti gjuhet me objekte të ndryshme, gjuajtje me shqelm, me grusht. Të shpohet me gjilpërë. Djegie me cigare. Dhe sidomos shkundja e një foshnje për ta bërë të pushojë.
- Prekje e fëmijës në zonën gjenitale: Prekja e fëmijës në zonën gjenitale pa kujdes, deri sa të eksitohet. Puthja e fëmijës në zonën genital. Të jetë prezent në raporte seksuale ndërmjet të rriturve apo të lejohet të shohë materiale pornografike.