3 reagimet e duhura ndaj një të moshuari/e me Alzheimer kur insiston të shkojë në shtëpi - asistencafamiljare.al

Blog

Alzheimer

3 reagimet e duhura ndaj një të moshuari/e me Alzheimer kur insiston të shkojë në shtëpi

Të moshuar që thonë “Dua të shkoj në shtëpinë time” në mënyrë të vazhdueshme është një nga fenomenet më të shpeshta që hasin kujdestarët e të moshuarve me demenca dhe Alzheimer gjatë punës së tyre të përditshme. Kjo kërkesë bëhet veçanërisht frustruese për kujdestarin, kur pacienti gjendet tashmë në shtëpinë e tij/saj.

Çështja është si t’i përgjigjemi në një mënyrë që atë e qetëson dhe e bën të heqë dorë nga kjo ide?

Së pari, është shumë e dobishme të kuptohet pse ata e thonë këtë dhe ç’duan të thonë me këtë. Së dyti, përpiquni të mos e merrni personalisht kërkesën, në mënyrë që edhe ju vetë të ruani qetësinë. Së fundmi, përdorni një nga qasjet e mëposhtme, të cilat shmangin acarimin e pacientit të moshuar dhe tuajin njëkohësisht.

Përse ata kërkojnë të shkojnë në shtëpi?

“Dua të shkoj në shtëpi” është më shumë një kërkesë për siguri dhe rehati sesa një kërkesë për të shkuar diku. Kur ti përgjigjeni, qëllimi juaj duhet të jetë ulja e nivelit të frikës dhe ankthit të të sëmurit/ës, duke bërë që ai/ajo gradualisht të heq dorë nga kjo kërkesë.

Sygjerimet e mëposhtme, mund t’ju vlejnë si një orientim i mirë, por pregatituni gjithashtu të jeni shumë krijues. Jo çdo përgjigje që u jepni do të funksionojë çdo herë, megjithatë mos u demoralizoni, me kalimin e kohës do të shikoni se do të gjeni përgjigjen e duhur për ta qetësuar atë.

3 reagimet qetësuese

1. Rehatoni dhe qetësoni të moshuarin

Mund ti afroheni të moshuarit në një mënyrë të qetë, të butë dhe të relaksuar. Nëse ju ruani qetësinë, edhe ai do të qetësohet. Ata perceptojnë tonin tuaj të zërit dhe gjuhën e trupit dhe në mënyrë të pavetëdijshme fillojnë t’ju përshtaten.

Shpeshherë, me frazën “Dua të shkoj në shtëpi”, i/e moshuari/a po ju komunikon se është i/e tensionuar, nervoz, i/e frikësuar dhe/ose ka nevojë për siguri dhe rehati. Nëse i pëlqejnë përqafimet, ky është një moment i përshtatshëm për një përqafim të ngrohtë. Disa të tjerë mund të preferojnë një prekje të lehtë në shpatull, e disa të tjerë thjesht të qëndroni ulur pranë tyre. Një mënyrë tjetër për ti qetësuar është ti jepni një batanije rehatuese, lodrën e preferuar terapeutike dhe ndonjë lodër prej pellushi për ta përkedhelur.

2. Shmangni shpjegimet dhe arsyetimet

Mos u përpiqni ti shpjegoni që ndodhen në shtëpinë e tyre. Jetesa pa autonomi, jetesa pa kujdestar, dhe jetesa e limituar është vendi ku ata gjenden momentalisht. “Shtëpia” e tyre është jetesa e pavarur, dhe pa kujdestar. Që kur ju kujdeseni për të, ai/ajo nuk është më në shtëpinë e tij/saj. Të përdorurit e arsyetimit e logjikës me dikë i/e cili/a vuan nga një sëmundje truri, kontribuon vetëm në irritim, stres dhe acarim të shtuar. Ata nuk janë në gjendje ta procesojnë këtë informacion, thjesht do ndjehen të privuar për të bërë diçka që për ta është shumë e rëndësishme.

3. Bini dakort me të, pastaj ridrejtoheni dhe shpërqëndrojeni

Aftësimi për të ridrejtuar dhe shpërqëndruar është sfidues dhe i vështirë, por është gjithashtu një teknikë shumë efikase. Është një aftësi që sa vjen dhe përmirësohet sa më shumë e praktikoni, kështu që mos u dekurajoni nëse fillimisht nuk funksionon në mënyrë të përsosur.

Së pari, bini dakort me të dhe respektoni kërkesën e tij/saj

Pajtohuni duke thënë diçka si “Në rregull, do të shkojmë së shpejti” ose “ide e mirë. Do nisemi sapo të mbaroj së lari pjatat”. Kjo e qetëson situatën pasi ju nuk po i thoni se janë gabim.

Më pas, ridrejtojeni dhe shpërqëndrojeni atë.

Pasi të keni rënë dakord me kërkesën e tij, ridrejtojeni qetësisht vëmendjen e tij. Ky ridrejtim duhet ta orientojë atë drejt aktiviteteve të pëlqyeshme dhe shpërqëndruese dhe t’i heqë mendimin nga dëshira për të shkuar në shtëpi.

Për shembull, mund ta prekni lehtësisht përgjatë bërrylit dhe ti thoni “Ok, do shkojmë së shpejti” dhe të ecni bashkë me të përgjatë korridorit, drejt kuzhinës ose një dritareje të madhe. Tregojini  me gishtin tregues lule, pemë, zogj e gjëra të pëlqyeshme jashtë ose ofrojini një pije apo diçka që e pëlqen për të ngrënë. Më pas, kaloni në një aktivitet tjetër që bën pjesë në rutinën e tij/saj të përditshme.

Një shëmbull tjetër është ti thoni “ok, veshim bluzën që të mos ftohemi kur të dalim jashtë”. Pastaj, ndërsa jeni duke ecur e duke folur për diçka të këndshme, ndaloni për një filxhan çaj apo një frut, ose një aktivitet tjetër shpërqëndrues. Ose mund ti kërkoni atyre t’ju flasin për shtëpinë e tyre. Pasi ato të kenë filluar tregimin, duke mos rënë në sy, drejtojeni bisedën drejt një teme tjetër. Kur i kërkoni informacion rreth shtëpisë së tyre, ju i tregoni se i njihni, vlerësoni dhe respektoni ndjenjat e tij/saj, e inkurajoni të ndajë me ju kujtimet pozitive dhe i shpërqëndron ato nga qëllimi fillestar për të shkuar në shtëpi. Pyetje të hapura që inkurajojnë të moshuarin të ndajnë mendimet e ndjenjat me ju funksionojnë më së miri. Për shembull:

‘Shtëpia juaj është kaq e këndshme, më trego më shumë për të”

“Cila është gjëja e parë që do bëni sapo të hyni në shtëpi?”

“Cila është dhoma juaj e preferuar?”

Çfarë duhet të bëjmë nëse asgjë nuk funksionon?

Ndonjëherë, i/e moshuari/a mund të jetë kokëfortë dhe refuzon të heqë dorë nga ideja për të ikur në shtëpi, pavarësisht sa shumë ju përpiqeni ta largoni nga kjo ide fikse. Nëse ndodh kështu, mund ta nxirrni jashtë për të bërë një shëtitje. Shikoni sa shumë duhet të ecni në këmbë ose me makinë para se të mund të ktheheni në shtëpi pa protesta. Mund të sugjeroni gjithashtu një xhiro tek një pastiçeri ose kafene e preferuar, ose një aktivitet tjetër i pëlqyeshëm për të.

Nëse nuk është e mundur t’i nxirrni nga shtëpia, gjithsesi mund ta bëni të besojë se po dilni e po përgatiteni për të dalë, pasi kjo u tregon atyre se ju e besoni dhe po e ndihmoni që të arrijë qëllimin e vet. Ndërkohë, gjatë pregatitjes për të dalë jashtë shtëpisë, ju mund të përpiqeni ta ridrejtoni dhe shpërqëndroni atë në një aktivitet tjetër.