4 mënyra për të bindur dikë me demenca të ndërrojë rrobat - asistencafamiljare.al

Blog

4 mënyra për të bindur dikë me demenca të ndërrojë rrobat

Shumë të moshuar me demenca refuzojnë të ndërrojnë veshjet e tyre.

Sfida e zakonshme për kujdestarët e personave me demenca dhe Alzheimer është si t’i bindin personat për të cilët kujdesen të ndërrojnë rrobat. Dëmtimi që demenca shkakton në tru mund të rrjedhojë në sjellje që për ne nuk kanë kuptim.

Të moshuarit me demenca mund të refuzojnë t’i ndërrojnë rrobat edhe nëse i mbajnë veshur për një javë të tërë dhe janë dukshëm të djersitura ose të ndotura. Ose, ata mund të insistojnë të veshin të njëjtën veshje natën dhe ditën. Ndonjëherë ata mund të zgjedhin veshje që janë të papërshtatshme për stinën, ose veshje tërësisht të çuditshme e të papërshtatshme për moshën e tyre.

Mëposhtë janë renditur 6 arsye të mundshme pse personat me demenca refuzojnë të ndërrojnë veshjet dhe 4 mënyra si mund t’i bindim të ndryshojnë ato më shpesh.

6 shkaqe të mundshme pse refuzojnë ti ndërrojnë rrobat

Të kuptuarit se çfarë e shkakton këtë sjellje mund t’ju ndihmojë të gjeni një qasje që funksionon. Gjithashtu ndihmon të shihni një këndvështrim tjetër për situatën dhe ju ndihmon të kuptoni që personi nuk e bën këtë sjellje me qëllim.

1. Kujtesa dhe gjykimi i dëmtuar
• Harron që nuk i ka ndërruar rrobat për një kohë të gjatë ose mendon se i ka ndërruar së fundmi.
• Po humbet aftësinë për të perceptuar sensin e kohës.
• Harron që rrobat janë të ndotura pasi i zhvesh.
• Nuk bën më zgjedhjet e duhura.

2. Nevoja për kontroll
• Insiston të marrë vendimet e veta të pavarura, edhe pse gjykimin e ka të dëmtuar.

3. Nevojë për siguri dhe rehati
• Rehatohet dhe ndjen siguri nga familiariteti dhe rutina e të veshurit të së njëjtave rroba.

4. Lufton me sfidat e përditshmërisë
• Hutohet nga zgjedhjet dhe hapat e nevojshme për t’u veshur.
• Ka vështirësi me lëvizjet fizike që nevojiten për t’u veshur e zhveshur.
• Ka dhimbje trupi dhe lodhet shpejt, kështu që ndryshimi i rrobave dhe larja e tyre duket e vështirë.

5. Ndjehet shumë i/e stimuluar dhe jo rehat
• Shmang veshje që kanë ngjyra apo modele shpërqëndruese, lidhëse, zinxhirë apo kopsa të vështira për t‘u mbërthyer, ose rroba të parehatshme.

6. Shqisa të dobëta
• Nuk ndjen aromën e rrobave me erë të keqe.
• Nuk i dallon njollat e pisllëkun.

A është vërtet e nevojshme?
Ne jemi mësuar të ndërrojmë rrobat çdo ditë dhe të veshim pizhama për të fjetur gjumë. Asnjëra nga këto veprime nuk janë të nevojshme domosdoshmërisht për shëndetin apo higjenën.
Nëse rrobat nuk janë të njollosura apo pis, personi me demenca nuk ka nevojë të ndërrohet çdo ditë.

Gjithsesi, shumë njerëz veshin të njëjtën bluzë ose pantallona disa herë para se ti lajnë.

Nëse personi me demenca është rehat dhe i/e pastër, mund ti mbajë veshur rrobat e tij/saj edhe gjatë natës nëse kështu dëshiron – veçanërisht nëse çfarë ka veshur e bën të ndjehet rehat.

Ndonjëherë është thjesht çështje momenti. Personi me demenca mund të jetë i/e lodhur, i/e mërzitur dhe irrituar, ose thjesht nuk do të ndërrohet në atë moment të caktuar. Gjithashtu, nëse personi nuk largohet nga shtëpia, mund të mos e ndjejë të nevojshme të ndryshojë veshjen – sidomos nëse ky është një proçes i lodhsëm ose fizikisht i vështirë për t’u bërë.

Para se të pyesni një person refuzues që të ndryshojë veshjen, konsideroni nëse është vërtet e nevojshme, dhe a mund të shtyhet deri në një moment tjetër.

4 mënyra për ta bindur dikë me demenca të ndërrojë rrobat

1. Shmangni përdorimin e logjikës dhe arsyes për ta bindur atë
• Shmangni përdorimin e logjikës ose kritikës, si psh “Ke një javë me të njëjtat rroba dhe janë pis e vijnë erë të keqe!” Çdokush mbrohet kur dëgjon një kritikë të tillë. Përveç kësaj, logjika dhe arsyeja konfuzon më shumë një person me demenca dhe e bën atë akoma më të ndjeshëm.
• Për shkak të dëmtimit që demenca shkakton në trurin e tij/saj, ai/ajo do të insistojë që të besojë më shumë kujtesën dhe mendimet e tij/saj, dhe jo tuajën, pavarësisht fakteve dhe realitetit.

2. Bëhuni më dinakë!
• Prisni që ta zërë gjumi, dhe zëvëndësoni rrobat e përdorura me rroba të pastra në dhomën e tij/saj.
• Blini rroba zëvëndësuese identike (ngjyrë dhe model të njëjtë) kështu që mund t’i zëvëndësoni pa u dalluar (nëse insiston të veshë të njëjtën gjë), kështu mund të lani një palë ndërkohë që një palë e mban veshur.
• Nëse personi fle me të njëjtën veshje që mban gjatë ditës, e vetmja zgjidhje që keni është që t’ia zëvëndësoni me versionin e pastër të së njëjtës veshje, ndërkohë që personi me demenca bën dush ose banjë.

3. Bëjeni veshjen një proçes më të lehtë
• Pastroni garderobën e personit me demenca, në mënyrë që të ketë më pak zgjedhje dhe më pak vendime për të marrë. Dhe nëse siguroheni që çdo veshje përshtatet, kjo e bën proçesin më të thjeshtë.
• Zgjidhni veshje në ngjyra solide dhe ngjyrat e preferuara të personit, të thjeshta dhe pa shumë ngjyra ose modele që mund ta shpërqëndrojnë e konfuzojnë atë.
• Eliminoni veshje që nuk janë të përshtatshme për stinën aktuale.
• Zgjidhni rroba që janë të lehta për t’u veshur dhe zhveshur – merrni në konsideratë rroba të adaptuara me mbërthyes të thjeshtë.
• Nëse i lini rrobat të gatshme që personi ti veshë vetë, vendosini ato në të njëjtën renditje dhe në të njëjtin vend çdo ditë.
• Jepini kohë të mjaftueshme për t’u veshur vetë, mos e ngutni dhe mos e shtyni të nxitojë.

4. Jini empatikë dhe përpiquni të kuptoni situatën
• Pyesni veten tuaj nëse ju bezdis zgjedhja e rrobave sepse nuk ju pëlqen ju, apo vërtet rrobat vijnë erë të keqe dhe nuk e duroni dot.
• Mos u turpëroni nëse mendoni që veshja është e papërshtatshme, por gjithsesi personi me demenca e pëlqen atë (nëse është e pastër dhe e përshtatshme për stinën). Për shembull, mamaja juaj që ka qënë gjithë jetën konservative, tani dëshiron të veshë vetëm një t-shirt me personazhe filmash vizatimorë në vend të një bluze me kopsa serioze, e përshtatshme për moshën e saj. Gjëja më e rëndësishme është që ajo të jetë e pastër dhe e rehatshme.