Çfarë është Artriti Reumatoid? - asistencafamiljare.al

Blog

Çfarë është Artriti Reumatoid?

Artriti Reumatoid është një kondicion i sistemit imunitar, ose “çrregullim autoimunitar,” që shkakton inflamacion të membranave synoviale të artikulacioneve. Mundet gjithashtu të ndikojë tek lëkura, sytë, mushkëritë, zemra, gjaku dhe nervat. Megjithëse simptomat e Artritit Reumatoid mund të shkojnë e vijnë, sëmundja mund të përkeqësohet me kalimin e kohës dhe mund të mos largohet kurrë nga trupi. Trajtimi i hershëm dhe agresiv është çelësi i ndalimit ose ngadalësimit të sëmundjes.

Cilat janë simptomat?

Inflamacioni i artikulacioneve që shkakton Artriti Reumatoid vjen me dhimbje, nxehtësi dhe enjtje. Inflamacioni është tipikisht simetrik, ndodh në të dyja anët e trupit në të njëjtën kohë (si tek kyçet e duarve, gjunjët ose duart). Simptoma të tjera përfshijnë ngurtësimin e artikulacioneve, veçanërisht në mëngjes ose pas periudhash pa aktivitet fizik, lodhje dhe këputje e vazhdueshme, temperaturë sub-febrile dhe humbje oreksi. Simptomat zhvillohen gradualisht përgjatë viteve, por për disa njerëz mund të ndodhin në mënyrë të menjëhershme dhe akute.

Kush vuan nga Artriti Reumatoid?

Zakonisht godet midis moshave 30-60, por sëmundja mund të prekë njerëz më të rinj ose më të vjetër. Sëmundja prek rreth 1% të popullatës në gjithë botën dhe është më e zakonshme për femrat sesa për meshkujt. Keni më shumë gjasa të prekeni nga sëmundja nëse jeni duhanpirës ose nëse keni një të afërm që vuan nga Artriti.

Çfarë e shkakton?

Shkencëtarët nuk e dinë ekzaktësisht përse njerëzit sëmurën nga Artriti Reumatoid. Disa njerëz mund të kenë një rrezik gjenetik që nxitet nga ndonjë infeksion specifik, të cilin ekspertët ende nuk kanë arritur ta identifikojnë.

Si ndikon tek artikulacionet?

Inflamacioni i membranave synoviale të artikulacioneve mund të shkatërrojë kërcin dhe kockat, duke i deformuar artikulacionet e ndikuara nga sëmundja. Me progresin e sëmundjes, artikulacionet janë të dhimbshme dhe nuk funksionojnë shumë mirë.

Si ndikohet pjesa tjetër e trupit?

Artriti Reumatoid mund të ndikojë organe dhe zona të trupit përveç artikulacioneve, përfshirë:

• Nodule Reumatoide: formacione të forta nën lëkurë dhe organe të brendshme
• Sindroma Sjogren: inflamacion dhe dëmtim i gjëndrave të syve dhe gojës; pjesë të tjera të trupit mund të ndikohen gjithashtu
• Pleuritis: inflamacion i membranave të mushkërive
• Perikarditis: inflamacion i membranave që rrethojnë zemrën
• Anemi: nuk ka mjaftueshëm qeliza të shëndetshme të kuqe në gjak
• Sindroma e Feltit: Nuk ka mjaftueshëm qeliza të bardha të gjakut. Kjo sindromë lidhet gjithashtu me një zmadhimin e shpretkës.
• Vaskulitis: inflamacion i enëve të gjakut, që mund të pengojë furnizimin me gjak të indeve.

Çfarë është Artriti Reumatoid Juvenil?

Artriti Reumatoid Juvenil është forma më e zakonshme e artritit tek fëmijët. Njësoj si në rastin e Artritit Reumatoid tek të rriturit, shkakton inflamacion të artikulacioneve, ngurtësim të artikulacioneve, dhe dëmtim të kërcit dhe kockave. Megjithatë, mundet gjithashtu të ndikojë tek rritja e fëmijës. Kjo sëmundje tek fëmijët njihet gjithashtu me emrin Artrit Idiopatik Juvenil. “Idiopatik” do të thotë që shkaku është i panjohur.

Artriti Reumatoid dhe shtatëzania

Në mënyrë befasuese, Artriti Reumatoid përmirësohet në 80% të rasteve tek femrat shtatëzëna. Ka të ngjarë të acarohet pasi lind fëmija. Ende nuk dihet përse ndodh kjo. Mund të nevojitet ndryshim i medikamenteve para mbetjes shtatëzënë dhe gjatë shtatëzanisë.

Çfarë kontrollojnë mjekët?

Për arsye se simptomat ikin e vijnë, diagnostikimi i sëmundjes në fazat fillestare është i vështirë. Nëse keni këto simptoma, mjeku mund të përshkruajë kontrolle të mëtejshme:

• Ngurtësim të artikulacioneve në mëngjes
• Ënjtje përreth disa artikulacioneve njëkohësisht
• Ënjtje të kyçeve të duarve, duarve, ose në artikulacionet e gishtave
• Të njëjtat artikulacione të ndikuara në të dyja anët e trupit
• Nyje reumatoide nën lëkurë

Analiza gjaku të nevojshme

Nëse mjeku juaj mendon se keni Artrit Reumatoid, do ju kërkojë analiza gjaku që kontrollojnë për shenja inflamacioni në trup. Një analizë tjetër është analiza për faktorin reumatoid (RF) dhe “CRP” (Proteina-C-reaktive), është një analizë që mat inflamacionin në të gjithë trupin. Ky test mat një substancë të prodhuar nga mëlçia që rritet në prani të inflamacionit. Megjithatë, nuk ekziston një test i vetëm për të përcaktuar diagnozën e Artritit Reumatoid.

Kontrolle Imazherie

Kontrolli me rreze-X mund të ndihmojë diagnostikimin e Artritit reumatoid, dhe të sigurojë një bazë për tu përdorur më vonë si krahasim, kur sëmundja progreson. Mjeku mund t’ju kërkojë gjithashtu një test me ultratinguj ose Rezonancë Magnetike për të parë dëmtimin dhe inflamacionin e artikulacioneve.

Trajtimet për Artrit Reumatoid

Megjithëse nuk ekziston një kurë, trajtimet me medikamente mund të lehtësojnë dhimbjen dhe ulin inflamacionin, mund të parandalojnë dëmtimin e artikulacioneve dhe të ndihmojnë në funksionimin e tyre. Mjeku përpilon një plan që bazohet në rastin specifik, ku përfshihet mosha, artikulacionet e dëmtuara, dhe sa e zhvilluar është sëmundja. Plani përfshin mjekime dhe ushtrime fizike për forcimin e muskujve rreth artikulacioneve. Disa persona mund të kenë nevojë për ndërhyrje kirurgjikale.

Mjekimet

Mjekimet e përdorura për trajtimin e Artritit Reumatoid përfshijnë ilaçe që përdoren për të ngadalësuar ose ndaluar sëmundjen siç janë steroidet dhe qetësuesit e dhimbjeve. Mund t’ju duhet të merrni më shumë se një medikament njëherësh, si për shembull një për dhimbjen dhe një tjetër për mbrojtjen e artikulacioneve nga dëmtimi i mëtejshëm.

A është alternativë ndërhyrja kirurgjikale?

Nëse keni dëmtim të madh të artikulacioneve dhe dhimbje të padurueshme, mjeku mund të rekomandojë operacionin. Operacioni më i zakonshëm që kryhet tek njerëzit e prekur nga sëmundja është zëvëndësimi i gjunjëve ose këllkut. Ndërhyrje të tjera përfshijnë artroskopinë (futet një instrument në formë tubi në artikulacion për të parë dhe riparuar dëmtimin) dhe rikonstruksion i tendinave.

Trajtime të tjera

Disa njerëz që vuajnë nga Artriti Reumatoid ndjejnë lehtësim të dhimbjeve kur përdorin relaksim, akupunturë ose nxehtësi. Plotësues ushqimorë që mund të ndihmojnë me lehtësimin e simptomave janë vaji i peshkut, glukozaminë, kondroitinë, etj.

Po dieta ushqimore?

Megjithëse nuk ka një dietë të caktuar për artritin reumatoid, shumë persona që vuajnë nga sëmundja kanë raportuar se ngrënia e disa ushqimeve dhe shmangia e disa ushqimeve të tjera ndihmojnë simptomat. Ushqimet e pasura në yndyrna të pangopura (gjalpi, bifteku, pançeta) rrisin inflamacionin në trup. Acidet yndyrore si Omega-3, (që gjenden tek salmoni,tofu, arra) mund të ndihmojnë me lehtësimin e simptomave. Disa njerëz të tjerë kanë raportuar se ushqime si domatet, agrumet, patatet, specat, kafeja dhe bulmeti, përkeqësojnë simptomat.

Aktiviteti fizik

Ushtrimet e rregullta fizike mund të ndihmojnë artikulacionet e dhimbshme dhe të ngurtësuara. Gjithashtu mban muskujt dhe kockat e forta. Ushtrime si tërheqje e lehtë muskujsh, trajnim rezistence, not dhe aerobi, ndihmojnë në mirëmbajtjen e shëndetit muskolo-skeletal. Kini parasysh të mos kryeni ushtrime që ushtrojnë presion tek artikulacionet, si ngritja e peshave të rënda ose ecja e shpejtë. Nëse ndjeni acarim të simptomave, pushoni dhe mos kryeni aktivitet për ca kohë, derisa simptomat të lehtësohen.