Ç’nevoja ka nje djalë adoleshent nga nëna e tij? - asistencafamiljare.al

Blog

Ç’nevoja ka nje djalë adoleshent nga nëna e tij?

1. Një vend të sigurtë për të kuptuar vetveten.

Ndodh thuajse çdo ditë dhe ndonjëherë disa herë në ditë: Adoleshentët gjithmonë ndryshojnë. Ndryshojnë rrobat e tyre. Humorin e tyre. Ndryshojnë mënyrën e ecjes, të folurit, preferencat. Kanë nevojë të kuptojnë çfarë i bën të ndjehen mirë. Ndonjëherë asgjë nuk është mirë. Të jesh adoleshent nuk është e lehtë. Ndonjëherë detyra kryesore e një nënë është të veprojë sikur nuk vë re asgjë.

2. Kufinjtë.

Djemtë tanë duhet të dinë çfarë është absolutisht e drejtë dhe çfarë jo. Mund ti rezistojnë rregullave, por thellë, brenda tyre ndjehen të sigurtë kur ka rregulla të prera, të qarta dhe të panegociueshme. Bëjini rregullat e qarta dhe të qëndrueshme dhe përcaktoni pasojat absolute në rast se thyhen rregullat. Kufinjtë = Siguri.

3. Liri.

Brenda këtyre kufinjve, djemtë adoleshentë kanë nevojë për mundësinë që të hapin krahët e tyre. Djemtë adoleshentë duhet të inkurajohen…madje dhe të nxiten për të provuar gjëra të reja, të marrin disa risqe, të gjejnë av/enturën. Duke pasur mjaft mundësi për aventurë të shëndetshme, do shmangin shumë telashe. Angazhojini djemtë me aktivitete ngazëllyese që ndërtojnë karakterin, dhe shikoni tek bëhen burra para syve tuaj.
“Me lirinë vjen përgjegjësia.” Në momentin që djemtë veprojnë në mënyrë të papërgjegjshme, ata humbasin lirinë. Në këtë mënyrë, liritë që ne u japim, merren shumë seriozisht.

4. Një vesh që dëgjon.

Djemtë kanë nevojë të flasin. Edhe djemtë më të qetë, flasin kur u jepet mundësia. Gjeni një moment kur jeni vetëm ju të dy, kurdo të mundeni, dhe qartësoni që dëshironi të dëgjoni për interesat dhe jetën e tij. Tregohuni e duruar, dhe provoni disa herë, në vende te ndryshme, derisa të ndjehet rehat të flasë me ju për jetën e tij. Ai ka nevojë për një nënë që dëgjon dhe nuk kritikon apo manipulon.

5. Një sens humori.

Adoleshentëve u pëlqen humori dhe janë të aftë të të bëjnë të qeshësh. Nuk nevojitet më të tregosh barsaleta fëmijësh, adoleshentët i kuptojnë mirë gjërat. Ekziston një gamë e gjërë videosh dhe programesh humori në botën e sotshme. Është një botë e vështirë: Një sens i mirë humori e ndihmon djalin tuaj të përballojë shumë vështirësi në jetë – inkurajojeni atë.

6. Prekja.

Djali juaj adoleshent largohet nga ju fizikisht, dhe paçka se kjo është e dhimbshme për një nënë, është normale. Por, edhe adoleshenti më i ngurtë dhe i ngrysur ka nevojë për përqafime nga nëna e tij. Mos krijoni distancë. Krijoni një rregull të tillë si “Një përqafim në ditë”, që e bën këtë përqafim rutinë dhe normal. Djemtë vdesin për të refuzuar afeksionin, por vërtet e duan atë.

7. Interes i vërtetë.

Çfarë pëlqen shumë djali juaj adoleshent? Mësoni ta doni dhe ju. Të paktën merrni mjaftueshëm informacion rreth pasionit të tij, në mënyrë që të mund të kryeni një bisedë me të. Kjo do ti mbajë dyert hapur më shumë se çdo xhest tjetër që mund të bëni.

8. Falja.

Adoleshentët bëjnë gabime. Shumë gabime. Ato veprojnë në mënyrë egocentrike. Rrijnë kot si të përhumbur. Ndjehen të pasigurtë në vetvete dhe mund të bëjnë gjëra të pamenduara për shkak të kësaj pasigurie. Do përfshihen në aq shumë ngatërresa saqë ju do të vrisni mëndjen ku keni gabuar vetë si nënë. Falja është e rëndësishme, por pasojat natyrale të veprimeve duhet të përjetohen gjithashtu.

9. Drejtim.

Djali juaj adoleshent DËSHIRON që ju të jeni udhëzues për të. Sigurisht që veprojnë sikur nuk duan, por brenda tyre dëshirojnë që të jeni ju guida e tyre. Jepini këshillat tuaja në lidhje me vështirësinë që po përballojnë, shkurt dhe qartë, dhe kur shihni se po përballen me pengesa jepini udhëzimet në mënyrë shumë delikate. Citoni dikë që ai e respekton. Kanë nevojë të drejtohen nga ju. Për këtë do ju falenderojnë ndoshta pas 20 vjetësh, por gjithsesi ia vlen barra qeranë.

10. Inkurajim.

Është e vështirë të jesh adoleshent. (Ju kujtohet?) Bota do prezantojë gjëra negative në drejtim të djalit tuaj. Por ju jeni tifozja më e madhe e tij. Besojeni atë me gjithë zemër dhe tregojani këtë. Çdo ditë.

11. Një shembull.

Fëmijët na shohin. Ata krijojnë më shumë ide rreth të mirës e së keqes, të drejtës e të padrejtës, nga gjërat që ju bëni, jo nga ato që thoni. Merreni seriozisht rolin e prindit. Sigurisht, nuk do të jeni kurrë perfekt, por nëse nuk doni që fëmija juaj të përdorë fjalë të pista, mos i përdorni as vetë ato. Nëse doni ti mësoni të flasin mirë për të tjerët, gjithashtu flisni mirë për të tjerët. Ndoshta, gjëja më e mirë që mund të bëni për djalin tuaj, është të modeloni personin që dëshironi që ai të bëhet.