Inkontinenca - asistencafamiljare.al

Blog

Inkontinenca

Shumica e njerëzve përjetojnë inkontinencë (humbje e kontrollit të fshikëzës së urinës dhe zorrës së trashë) në fazat e fundit të sëmundjes Alzheimer dhe demencave të tjera. Ka shumë shkaqe, por edhe mënyra për të ndihmuar në manaxhimin e inkontinencës. Gjithashtu, mënyra se si ju reagoni ndihmon personin me demenca të ruajë ndjesinë e dinjitetit.

Shkaqet e inkontinencës

Inkontinenca mund të shkaktohet nga shumë faktorë, ku përfshihet pamundësia për të njohur stimulin e jashtëqitjes, harresën e vendndodhjes së banjës, stresi, mjekimet, kondicione specifike shëndetësore, veshjet e vështira për t’u hequr dhe konstipacioni.

Nëse një individ me demenca ka filluar të humbasë kontrollin e fshikëzës ose të zorrës së trashë, hapi i parë dhe më i rëndësishëm është përcaktimi i shkaqeve të mundëshme.

Nëse inkontinenca është një problem i ri, konsultohuni me mjekun për të eliminuar shkaqe të tilla si infeksioni i fshikëzës së urinës, muskuj të dobët pelvikë, ose medikamente të ndryshme që shkaktojnë inkontinencë.

Merrni në konsideratë kondicione mjekësore, efekte anësore të ilaçeve apo pengesa të tjera që mund të shkaktojnë ose kontribuojnë tek ky problem:

Kondicione mjekësore që shkaktojnë inkontinencë:
• Infeksione të aparatit urinar, probleme me prostatën, ose konstipacion.
• Diabeti, çrregullime muskulare si sëmundja e Parkinson ose goditje në enët e gjakut të trurit.
• Paaftësi fizike që parandalojnë personin nga mbërritja në kohë në banjë.

Medikamente apo diuretikë që mund të shkaktojnë inkontinencë:
• Medikamente gjumi dhe ilaçe anti-ankth të cilët relaksojnë muskujt e fshikëzës së urines.
• Pije si koka-kola, kafeja, çaji të cilët veprojnë si diuretikë.

Pengesa të ambjentit dhe veshjes mund të kontribuojnë tek inkontinenca:
• Personi nuk është në gjendje të gjejë banjën.
• Pengesa gjatë rrugës për në banjë, si mobilje apo diçka tjetër penguese.
• Veshje të vështira për tu zhveshur.

Si të reagojmë?

Jini përkrahës

• Ri-sigurojeni personin në mënyrë që të reduktohen ndjenjat e turpit. Gjeni mënyra për të ruajtur dinjitetin. Për shembull mund të thoni, “Të gjithëve na ndodhin aksidente” në vend që të thoni, “Qenke bërë qull.”
• Mos ofendoni, mos qortoni dhe mos e bëni personin të ndjehet në faj.
• Respektoni nevojën për privatësi sa më shumë të keni mundësi.
• Mos e lini pa i dhënë lëngje për të pirë. Kjo shkakton dehidratim dhe mund të pasojë me infeksion të traktit urinar, inkontinencë të shtuar dhe sjellje të irrituara dhe agresive. Gjithsesi mund të kufizoni pirjen e lëngjeve para gjumit.

Komunikoni

• Inkurajoni personin që t’ju tregojë kur ka nevojë të përdorë tualetin.
• Vëzhgoni komunikimin jo-verbal, irritimin, parehatinë, tinguj dhe shprehje të pazakonshme të mimikës, heshtje të papritur apo fshehje nëpër qoshet e shtëpisë. Këto sjellje mund të udhëzojnë se personi ka nevojë të kryejë nevojat e natyrshme.
• Mos përdorni gjuhe dhe fjalor bebash kur i referoheni përdorimit të tualetit.
• Mësoni fjalët dhe frazat nxitëse të personit kur ka nevojë të përdorë tualetin. Personi mund të përdorë fjalë që nuk kanë të bëjnë me tualetin si p.sh. “Nuk mund të gjej dritën”), por për atë person do të thotë se dëshiron të përdorë banjën. Komunikimi shpesh kthehet në një sfidë gjatë fazave të fundit të sëmundjes.
• Disa njerëz reagojnë mirë kur iu kujtohet të përdorin banjën në orar të rregullt, si për shembull çdo dy orë.

Lehtësojeni gjetjen dhe përdorimin e banjës

• Pastrojeni rrugën drejt banjës duke zhvendosur dhe eliminuar mobilje e pengesa.
• Mbajeni hapur derën e banjës në mënyrë që banja të jetë e dukshme.
• Bëje banjën të spikasë, për shembull, vendosni rrugica me ngjyra në dyshemenë e banjës dhe kapakun e W.C., ose vendosni një shenjë të dukshme me imazhin e tualetit në derën e banjës.
• Banja të jetë e sigurtë dhe e lehtë për përdorim. Kapaku të rrijë i hapur, mund të jenë vendosur mbajtëse për duart në afërsi të W.C., dhe të ketë drita nate në banjë.
• Mund të mbani afër shtratit një oturak në rast urgjence gjatë natës.
• Hiqni vazo lulesh, kosha mbeturinash dhe objekte të tjera që mund të perceptohen si tualet.
• Hiqni rrugica dhe tapete që mund të shkaktojnë rënie dhe rrëzim të personit.

Këshilla për manaxhimin e inkontinencës

Vëzhgoni gjuhën e trupit të personit, nëse tregon parehati, lëviz ritmikisht, prek rrobat me nervozizëm, shprehje parehatie në fytyrë, heshtje e papritur ose fshehje pas mobiljeve. Këto veprime mund të nënkuptojnë se personi ka nevojë të përdorë tualetin.

1. Identifikoni kur ndodhin aksidentet, pastaj planifikoni për manaxhimin e tyre. Nëse ndodhin çdo dy orë, shoqëroni personin për të fjetur para kësaj kohe.
2. Kujtojeni personin të përdorë tualetin para orarit të zakonshëm.
3. Caktoni një orar të rregullt për përdorimin e banjës. Për shembull, ndihmoni personin në banjë sapo zgjohet në mëngjes, çdo dy orë gjatë ditës, menjëherë pas ngrënies dhe para gjumit.
4. Zgjidhni rroba të lehta për tu përdorur dhe hequr.
5. Përdorni produkte për inkontinencën, si mbulesa dysheku që nuk përçojnë urinën në dyshek, pampers, etj.
6. Lejojini kohë të mjaftueshme personit në banjë në mënyrë që të shkarkojë zorrën e trashë dhe fshikëzën e urinës.
7. Mbani hapur rubinetin e çezmës ose jepini të pijë një gotë ujë për të stimuluar urinimin.
8. Kontrolloni bajnën për të parë nëse personi ka urinuar apo defekuar.